Maqedoni
VMRO-DPMNE, protesta para Ministrisë së Shëndetësisë. LSDM: VMRO, aleate e Kovid-19 për përfitim politik
17.04.2021 17:24
VMRO-DPMNE-ja opozitare sërish ka organizuar protesta para Ministrisë së Shëndetësisë...

VMRO-DPMNE-ja opozitare sërish ka organizuar protesta para Ministrisë së Shëndetësisë për, siç thuhet, keqmenaxhimin me pandeminë. Nga kjo parti duke lëshuar kritika ndaj kryeministrit, Zoran Zaev, dhe ministrit të shëndetësisë, Venko Filipçe, kërkuan dorëheqjen e tyre, pasi siç thanë protestuesit populli nuk e din se prej çfarë është goditur më shumë, nga pandemia apo varfëria.
“Në vend të furnizimit me vaksina, në vend të furnizimit me respiratorë ai ka siguruar katër piar kompani. Në kohë pandemie kur nuk mund ta kalojmë muajin, kur nuk e dimë nëse do të ketë krevat të lirë, ai ka siguruar katër piar kompani, që të shkruajnë tekste dhe të ju bindin se nuk sëmureni, se është mirë në spital, të ju bindin se kemi sistem evropian, të ju bindin për tërë atë që e dimë se nuk është e saktë.”,- tha Ljupço Prenqov nga GRОМ.
Por, LSDM ka lëshuar akuza ndaj partisë opozitare duke theksuar se asnjë parti në botë nuk sillet në mënyrë kaq të pa përgjegjshme në kohë pandemie siç bën VMRO-DPMNE.
“VMRO-DPMNE dhe Hristian Mickovski kanë gënjyer se nuk ka pasur teste të mjaftueshme për virusin korona, gënjenin se ministria e shëndetësisë nuk i kontrollon kllasterët në vend, gënjenin se nuk ka kurrfarë protokollesh për shërimin e pacientëve me Kovid-19, e madje thoshin se mjek jo profesional i trajtojnë pacientët.”,- u shpreh Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
Sipas LSDM-së, VMRO-DPMNE-ja po e sheh virusin Korona si aleat për përfitim politik.
GYLTENE SINANI
