Kuvendi miratoi pakon e masave ekonomike, votuan edhe dy deputete të infektuara

18.04.2021 16:46

Kuvendi miratoi me unanimitet pakon e masave ekonomike...

Kuvendi miratoi me unanimitet pakon e masave ekonomike. Përkatësisht pa asnjë debat dhe me 113 vota pro u miratua propozim-ligji për mbështetje financiare për personat fizikë që ushtrojnë veprimtari të pavarur, të prekur nga kriza shëndetësore dhe ekonomike e shkaktuar nga virusi COVID-19, për muajt shkurt dhe mars të vitit 2021.

Me 115 vota pro u miratua edhe propozim-ligji për mbështetje financiare për punëdhënësit të prekur nga kriza shëndetësore dhe ekonomike e shkaktuar nga virusi COVID-19, për pagesën e rrogave për muajt shkurt dhe mars të vitit 2021 por edhe propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për tatim mbi të ardhurat personale.

Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi akuzoi opozitën për vonesën e miratimit të kësaj pakoje.

“Dy muaj nuk miratohen këto ligje për shkak të sjelljes së opozitës ndaj këtyre ligjeve dhe jo për shkak të qasjes sime ndaj seancave. Thërrisni që të miratohen shpejtë por vazhdimisht kërkoni procedurale.” – tha Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Paraprakisht u ezaurua edhe séanca e 32 ku nuk morri pjesë VMRO DPDMNE në opozitë, por për herë të parë në seancë plenare morrën pjesë edhe dy deputetë të infektuar me kovid19. Sipas opozitës maqedonase, ky akt është në kundërshtim me ligjin dhe paraqet vepër penale.                    

“Sot kemi dy deputetë që janë sjellë kundër nenit 11 të këtij vendimi. Që ironia të jetë më e madhe, kjo paraqet vepër penale për të cilën nuk u vlen imuniteti i deputetit. Nuk dua të jem në lëkurën e këtyre kolegëve, pasi kur të bie ky regjim të parët do të shkoni në burg për vepër penale kundër shëndetit të njerëzve.” – deklaroi Dimitar Apasiev nga “E Majta”.

Mirëpo kryeparlamentari Xhaferi hodhi poshtë pretendimet e deputetit Apasiev.

“Më 18 nëntor morra vendim nga Komisioni Shtetëror për shëndetësi me plotësim të protokollit, që në kushte të caktuara deputetët të mund të kryejnë funksionin e tyre edhe në kushte të tilla. Marrë parasysh që në këtë sallë ka hapësira që ata deputetët mund të hyjnë dhe të dalin të izoluar, pa asnjë kontakt, është procedurë që e kam siguruar si detyrimi im.” – u shpreh Xhaferi.

Në seancën e 32  nuk merrnin pjesë deputetët e VMRO DPMNE-së, për këtë arsye shumica parlamentare e siguroi kuorumin e nevojshëm dhe votimin e ligjeve me dy deputetët e infektuar. (Shpëtim Nuredini, TVM2)