Botë
Izraelitët pa maska, mbi 80% e të rriturve janë vaksinuar
19.04.2021 13:01
Më në fund izraelitetët marrin frymë lirisht. Të dielën, vendi bëri një tjetër hap drejt rikthimit në normalitet...

Më në fund izraelitetët marrin frymë lirisht. Të dielën, vendi bëri një tjetër hap drejt rikthimit në normalitet, duke shfuqizuar masën për mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse në ambjente të hapura.
Lehtësimet po ndihmohen edhe nga fushata e vaksinimit masiv kundër koronavirusit, teksa 81% e qytetarëve mbi moshën 16-vjeçare kanë marrë të dyja dozat e vaksinës së Pfizer dhe Biontech.
Infektimet dhe shtrimet në spital kanë rënë ndjeshëm. Megjithatë hyrja e të hujave vazhdon të jetë e kufizuar dhe shtetasit e paimunizuar izraelit të cilët kthehen nga jashtë vendit duhet të vetëizolohen, për shkak të varianteve të reja që mund të sfidojnë fushatën e vaksinimit.
Ministria e Shëndetësisë tha se kishte evidentuar 7 raste të një varianti indian të virusit, I cili po shqyrtohet.
Përvec kopshteve e shkollave fillore, edhe nxënësit e shkollës se mesme iu rikthyen mesimit në klasa. Mësuesit janë udhëzuar të vijojnë me ajrosjen e ambjenteve, e ruajtjen e distancimit social. Ndersa ka vaksinuar banoret e Jeruzalemit lindor, të cilin Izraeli e konsideron territor të vetin, 5.2 milionë banorët e Bregut Perëndimor dhe Rripit të Gazës po sigurojnë furnizime të kufizuara të vaksinës.
