Botë
Shqipëri, vendoset karantinë për shtetasit e RMV-së
19.04.2021 16:31
Të gjithë shtetasit që hyjnë në Shqipëri nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia do t’i nënshtrohen një karantinë dyjavore...
Të gjithë shtetasit që hyjnë në Shqipëri nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia do t’i nënshtrohen një karantinë dyjavore. Shkak, sipas Komitetit Teknik të ekspertëve është bërë rritja e numrit të të infektuarve në këto dy vende. Ndërkohë, ekspertët vendosën të lënë në fuqi orën policore në orën 22.:00 deri në 6 të mëngjesit edhe për 2 javë të tjera.
"Ndryshe nga vendi ynë ku vihet re qëndrueshmëri në përmirësimin e shifrave, në fqinjët tanë, sidomos në Maqedoninë e Veriut dhe në Greqi numrat e rasteve janë shtuar. Janë shtuar numrat e rasteve të reja ditore, por njëkohësisht është shtuar edhe numri i jetëve të humbura. Duke pasur parasysh edhe situatën tonë lokale mendojmë që duke filluar nga dita e nesërme të vendoset qëndrimi në karantinë dyjavore për personat që vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia deri më datë 3 maj të këtij viti", tha drejtuesja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli.
Kur kanë mbetur vetëm 6 ditë nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, Komiteti Teknik i Ekspertëve u ka bërë thirrje të infektuarve që të respektojnë karantinën, pavarësisht se u humbet e drejta e votës.
