Maqedoni

“Reporter pa kufi”, RMV pak përparim, duhet shumë punë

20.04.2021 15:32

Maqedonia e Veriut këtë vit radhitet e 90-ta në listën prej 180 vendeve në publimimin e “Reporterëve pa Kufij”...

Maqedonia e Veriut këtë vit radhitet e 90-ta në listën prej 180 vendeve në publimimin e “Reporterëve pa Kufij”, ku matja bëhet  sipas indeksit të  lirisë së mediave. Krahasuar me vitin paraprak, përparimi në vendin tonë  është ngjitur vetëm për dy shkallë. Organizata për Lirinë e Mediave dhe Mbrojtjen e Gazetarëve thekson se situata e mediave në RMV po përkeqësohet  gjithnjë e më shumë  dhe se pandemia është keqpërdorur për të kufizuar dhe vështirësuar punën e e tyre, thuhet në raport.
 
“Situata me mediat është përkeqësuar. Zyrtarë e lartë të qeverisë vazhduan të kërcënojnë dhe fyejnë mediat, ndërkohë që ngacmimi kibernetik dhe sulmet verbale ndaj gazetarëve janë rritur në mediat sociale. E gjithë kjo shërbeu për të forcuar akoma më shumë kulturën e mosndëshkimit. Në të njëjtën kohë pandemia  komplikoi raportimin. Organizatat mediatike kundërshtuan ashpër amandamentet e propozuara në ligjin për mediat audio-vizuele, të cilat si të tilla do të mundësonin reklamimin e shtetit në media. Ata e kundërshtuan këtë me arsyetimin se do të inkurajojë klientelizmin.”, thuhet në raportin e Organizatës për Lirinë e Mediave dhe Mbrojtjen e Gazetarëve.
 
Çadikovski: Të punohet shumë për të rikthyer lirinë e mediave
 
“Reporterë pa Kufi” flet të vërtetat për të cilat kritikojmë dhe ngrejmë zërin shpesh, vlerëson kreu i SHGM-së, Mladen Çadikovski. Duhet të punohet shumë për të rikthyer lirinë e mediave që kishim pasa disa viteve, thotë ai.
 
"Nuk na inkurajon fakti se vazhdon sjellja injoruese e instiucioneve ndaj dhunës së gazetarëve. Kjo është njëra ndër arsyet kryesore, por raporti flet edhe për çështje tjera për të cilat flasim kohë të gjatë. Rikujtoj se para 15 viteve RMV ka qenë  mes 30 vendeve në listë dhe ne assesi tani nuk duhet të kënaqemi me vendin e 90-të, që praktkisht na kthen tek vendet që nuk mund të lavdërohet me liri të madhe të mediave.", tha Mladen Çadikovski, kryetar i SHGM-së.
 
Sipas rajonit, Sllovenia pozicionohet në vendin më të lartë për lirinë e mediave, e 36-ta me rradhë, e pasuar nga Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Greqia, Kosova dhe Shqipëria, ndërsa Serbia, Mali i Zi dhe Bullgaria rradhiten pas vendit tonë. Norvegjia mbetet vendi kampion për të pestin vit radhazi, ndjekur nga Finlanda, Danimarka dhe Suedia. Në fund të listët është Koreja e Veriut në vendin e 179-të, e ndjekur nga Turkmenistani dhe Kina.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU