Maqedoni

Kallëzim penal për Xhaferin dhe dy deputetë

20.04.2021 15:47

Grupi i deputetëve të VMRO DPMNE-së dhe koalicionit dorëzuan në Prokuroriën Themelore...

Grupi i deputetëve të VMRO DPMNE-së dhe koalicionit dorëzuan në Prokuroriën Themelore kallëzim penal kundër krytarit të Kuvendit Talat Xhaferi dhe deputetëve Bisera Kostadinova-Stojçevska dhe Miroslav Bogdanovski, të cilët gjatë masës së karantinës, me skafander, shkuan në Kuvend për të votuar ligjet e seancës së 32-të dhe pakon e pestë të masave ekonomike.
 
Deputetët e opozitës konsiderojnë se me këtë akt është shkelur Kodi Penal dhe Ligji për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet ngjitëse.
 
“Presim që Prokuroria Publike do të veprojë në harmoni me ligjet dhe do të procesojë këtë kallzim penal. Gjithashtu duhet të theksoj se të dielën u shkel edhe Ligji për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundje ngjitëse, i cili u ndryshua dhe u plotësua nga kjo përbërje parlamentare, në muajin tetor të vitit 2020. Për këto dyshime të bazuara, parashtrojmë këtë kallëzim penal I cili shpresojmë se do të procedohet me urgjencë.”, tha Eli Panova, deputete e VMRO-DPMNE-së.
 
Edhe “E Majta”, përkatëisht dy deputetët e saj Dimitar Apasiev dhe Borislav Kërmov paraqitën padi penale për deputetët Bisera Kostadinova-Stojcevska nga Manastiri dhe Miroslav Bogdanovski nga Shkupi, si dhe kundër Kryetarit të Kuvendit – Talat Xhaferi si dhe një raport në Inspektoratin Sanitar dhe Shëndetësor për shkeljen së masës izolim i rreptë. Të tre akuzohen se, me dashje dhe pas koordinimit paraprak të ndërsjellë, kanë kryer veprën “Mosveprimi në përputhje me rregulloret shëndetësore gjatë një epidemie” si dhe përpjekje për “Transmetimin e një sëmundje ngjitëse” ndaj deputetëve të tjerë.
 
Për dallim nga opozita, shumica parlamentare dhe vetë kreu i Kuvendit konsiderojnë se pjesëmarrja në seancë e dy deputetëve nën masën e izolimit të rreptë ishte në bazë të protokolleve shëndetësore.
 
SHPËTIM NUREDINI