Finalizohet marrëveshja, pritet ndarja e posteve
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, janë në fazën finale të dizajnimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje, me theks të veçantë në ndarjen e ministrive dhe hartimit të programit qeverisës.......

Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, sërish ka folur pozitivisht për pritjet e tij nga ky koalicion, duke thënë se të dy partitë partnere përfaqësojnë numrin më të madh të elektoratit dhe vullnetit të qytetarëve të Kosovës. Sipas tij, aktualisht grupet punuese të të dyja partive po e harmonizojnë programin e ardhshëm qeverisës, por pa përmendur ndarjen e posteve.
Përderisa PDK dhe lideri i saj, Hashim Thaçi, nuk flasin për mënyrën se si e parasheh marrëveshja për bashkëqeverisje ndarjen e posteve dhe sidomos ndarjen e postit të kryeministrit, për LDK-në, kjo çështje është e kryer. Anëtari i kryesisë së LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se PDK-ja nuk i ka kërkuar LDK-së të udhëheqë me qeverinë e ardhshme, pasi që, sipas tij, kjo çështje është definuar me marrëveshjen parimore që Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa nënshkruan më 19 nëntor.
Çdo devijim me kërkesën që PDK-ja të marrë nën drejtim qeverinë e ardhshme, sipas Lutfi Hazirit, për LDK-në do të nënkuptonte prishjen e marrëveshjes dhe kalimin në opozitë. Ishte pikërisht posti i kryeministrit që ishte bërë shkas edhe i ndarjes së LDK-së nga ish-koalicioni paszgjedhor, i quajtur VLAN, ku përveç LDK-së, bënin pjesë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, partia Nisma dhe Vetëvendosje.
