Maqedoni

Polici që vrau George Floyd, shpallet fajtor për të gjithë akuzat

21.04.2021 10:13

Derek Chauvin, efektivi i policisë 45-vjeçar që akuzohet si autor i vrasjes së afro-amerikanit George Floyd...

Derek Chauvin, efektivi i policisë 45-vjeçar që akuzohet si autor i vrasjes së afro-amerikanit George Floyd në Mineapolis në majin e vitit të kaluar, u dënua për të tre akuzat ndaj tij.
 
Juria ishte e përbërë nga 5 meshkuj dhe 7 femra, dhe debatoi për rreth 10 orë në dy ditë, fillimisht të hënën, duke u rikthyer sot me vendimin përfundimtar.
 
Chauvin kishte deklaruar veten të pafajshëm për akuzat e ngritura, që ishin tre, vrasje e paqëllimshme e gradës së dytë, vrasje e gradës së dytë që nënkupton vrasjen e qëllimtë,  dhe të gradës së tretë, ku kjo e fundit nënkupton një veprim të qëllimtë për të shkaktuar dëm, pa asnjë respekt për jetën e tjetrit.  
 
Polici mund të gjykohej për të tre akuzat, ku dënimi parashikohet deri me 10 vjet për akuzën e vrasjes së paqëllimshme të gradës së dytë, 40 vjet për vrasjen e gradës së dytë dhe 25 për atë të gradës së tretë. Gjykatësi do të saktësojë brenda 8 javëve vitet që Chauvin do të kalojë në burg.
 
Vrasja e George Floyd dhe thirrja e tij “Nuk marr dot frymë!”, drejtuar policit, u bënë simbol i një vale proteste që kaloi edhe kufinjtë e Shteteve të Bashkuara, ku akuzave për arrogancën e policisë ndaj personave me ngjyrë iu bashkua edhe një përkrahje globale kundër racizmit,  e drejtuar nga lëvizja “Black Lives Matter”.
 
Jashtë Gjykatës, me qindra qytetarë, shumë prej tyre mbështetës të Black Lives Matter, u mblodhën duke festuar pas verdiktit.