Maqedoni

Filipçe: Masat po japin rezultate, numri i pacienteve me Covid po zvogëlohet

21.04.2021 15:13

Numri i personave në trajtim spitalor po ulet, ndërsa numri i personave të shëruar që po lëshojnë spitalet është në rritje...

Numri i personave në trajtim spitalor po ulet, ndërsa numri i personave të shëruar që po lëshojnë spitalet është në rritje. Po ulet edhe numri i pacientëve pozitiv, që nënkupton se masat po japin rezultate, bëri të ditur ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, pas koordinimit të rregullt të mëngjesit me drejtorët e klinikave. 
 
“Pavarësisht nga fakti që numrat po bien, ne duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm gjatë kësaj periudhe, për shkak të paparashikueshmërisë së virusit.”,- tha ministri Filipçe. Ai njëherit bëri të ditur se janë duke u zhvilluar përgatitje intensive në sallën sportive “Biljanini Izvori” në Ohër, ku pritet të fillojë së shpejti imunizimi masiv i banorëve të këtij rajoni. 
 
“Në sallë janë duke u përgatitur 28 pika të vaksinimit, në të cilat është planifikuar të vaksinohen mbi 1500 qytetarë çdo ditë. 50 infermierë, 10 mjekë dhe 24 punonjës administrativë janë të angazhuar për vaksinim. Pikat e vaksinimit do të funksionojnë në dy ndërrime. Në proces përgatitjeje të sallave sportive për vaksinimin masiv janë qytetet e Manastirit, Kavadarit, Shtipit, Kumanovës dhe Tetovës”,- shkruan ministri në facebook.
 
MSh-ja ka njoftuar se numri i përgjithshëm i pacientëve pozitivë dhe të dyshuar për koronavirus të cilët mjekohen në repartet infektive në kryeqytet dhe në spitalet në të gjithë vendin është 1641, ndërsa ka edhe rreth 380 shtretër të lire në qendrat Kovid. Në 24 orët e fundit, në Kovid qendrat në Shkup janë hospitalizuar 68 pacientë të rinj, ndërsa gjithsej në kryeqendër po trajtohen 689 Kovid pacientë.
 
Ndërkohë, në rrjedhë e sipër është edhe vaksinimi anti Kovid. Deri tani janë vaksinuar mbi 43 mijë qytetarë të vendit. Ndërsa pasi një ditë më parë ministri serb i shëndetësisë bëri të ditur se edhe 15 mijë qytetarët të Maqedonisë së Veriut janë vaksinuar në Serbi, një ofertë për t’u vaksinuar për shtetasit e vendit ka arritur edhe nga Bullgaria fqinje, ku, sipas mediat bullgare, prej të mërkurën Klinika “Komak medikal” fillon me vaksinimin e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, ndërsa për regjistrim qytetarët duhet t’i kontaktojnë zyrat e “Komak Medikal” në Sofje dhe Shkup.  
 
REJHANE BUSHI METAJ