Botë
Shqipëri, një i vrarë dhe katër të plagosur në Elbasan
21.04.2021 17:18
4 ditë para zgjedhjeve parlamentare, një ngjarje e rëndë me sfond politik ka ndodhur në Elbasan....

4 ditë para zgjedhjeve parlamentare, një ngjarje e rëndë me sfond politik ka ndodhur në Elbasan. Ish-kryetari i LSI-së në këtë qytet, Pjerin Xhuvani, është qëlluar për vdekje në qendër të qytetit, nga ish-punonjësi i policisë, Arbër Paplekaj, aktualisht shoqërues i sekretarit të përgjithshëm të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Të plagosur kanë mbetur edhe tre persona, njëri prej të cilëve efektiv i forcave “Shqiponjat”.
Gjatë dëshmisë parahetuesve, autori mësohet të ketë thënë se ka qëlluar për vetëmbrojtje, duke pretenduar se ishte qëlluar më parë nga disa persona që po blinin vota. Pak momente para se shoqëruesi i tij të vetëdorëzohej, sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi foli për provokime dhe për tentativë shitblerjeje të votës. Viktima e kësaj ngjarje është denoncuar nga Partia Demokratike në Ditën e Verës, kur në Elbasan pati përplasje mes militantëve të dy forcave kryesore politike.
Ndërkohë, incidentet nuk kanë munguar as në Fier, ku kandidatët për deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim janë përplasur me Policinë, pas tentativës së kësaj të fundit për të hequr disa banderola. Pas kësaj ngjarjeje ka reaguar presidenti, Ilir Meta, i cili paralajmëroi reagime të forta për çdo rast provokimi.
LULJETA NDOKA
