Plani ”Junker” për rilindjen e Evropës
Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claud Juncker, bëri publik planin e investimeve që shkon në 300 miliardë euro dhe që, sipas tij, do të shkundë nga gjumi ekonominë evropiane.......
Baza e mandatit të tij 5 vjeçar në krye të KE-së, është Fondi Evropian për Investimet Strategjike, për të cilin thotë se duhen 21 miliardë euro që do të përdoren për të stimuluar rritjen ekonomike dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Juncker, thotë se shuma prej 21 miliardë eurosh do të përdoret për të stimuluar bizneset, për të investuar deri në 15 herë më shumë se sa shuma në fjalë.
“Evropa ka nevojë për një nisje të re në ekonomi dhe komisioni sot po ju ofron këtë nisje të re”- deklaroi presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claud Junker.
Optimizmit të kreut të ri të KE-së, analistët i përgjigjen me skepticizëm. Sipas tyre, nëse vërtet kërkohet që plani të bëjë diferencën, atëherë shuma e parave që do të duhen për t’u hedhur në formë stimulimi duhet të jetë shumë më e madhe.
Ndonëse me terme të tjera, fjala e Juncker një ditë më pas është në të njëjtën linjë me atë të Papa Françeskut, që kritikoi BE-në për mungesë protagonizmi dhe të lodhur nga teknikalitetet dhe burokracitë e institucioneve të saj. (Sanije Kasami, TVM2)
