Rasti “Broun”, Amerika përfshihet nga protestat

26.11.2014 13:41

Protestat kundër vendimit të gjykatës në Ferguson për të nxjerrë të pafajshëm policin e bardhë që vrau para disa javësh një adoleshent me ngjyrë, janë përhapur me shpejtësi në shumë qytete amerikane......

Nga Nju Jorku e deri në Siatle, mijëra amerikanë dolën në rrugë për të kundërshtuar vendimin, të cilin e quajnë si të padrejtë. Përgjithësisht marshimet ishin paqësore, përjashtuar këtu zonat periferike të Fergusonit dhe Oklandit të Kalifornisë.

Qyteti ku ndodhi vrasja, që prej të hënës është përfshirë nga protesta të dhunshme. Situata është parë si një mundësi e mirë për ata që mediat amerikane i quajnë “oportunistë”.

Të fshehur mes protestuesve, ata shfrytëzuan situatën për të grabitur dhjetëra dyqane. 2200 trupa të Gardës Kombëtare janë zhvendosur në Ferguson, për të parandaluar aktet e vandalizmit dhe vjedhjeve.

Pas dhunës, ka reaguar edhe presidenti Obama, i cili i ka kërkuar kryeprokurorit, Eric Holder, që të bëhet gjithçka për të rikthyer besimin e amerikanëve tek drejtësia.

“Rasti në fjalë nuk është problem vetëm për Fergusonin, është një problem mbarëamerikan. Në komunitetin me ngjyrë ka një perceptim se ligjet nuk janë të barabarta për të gjithë amerikanët”- deklaroi presidenti i SHBA-ve, Barack Obama.

18 vjeçari me ngjyrë, Michael Brown, u qëllua 12 herë nga oficeri i Policisë, Darren Wilson. Për avokatët e familjes Broun, Wilson ka qëlluar pa qenë i kërcënuar prej adoleshentit, por vetë oficeri thotë se para se të shkrepte armën, ka pasur një përleshje fizike me të riun.

“Kam ndërgjegje të pastër. Bëra ashtu siç duhet detyrën time”, deklaroi ai për rrjetin televiziv amerikan, “ABC News”. (Merita Gashi, TVM2)