Botë
Presidenti Biden shpreh besim se SHBA mund t’u dërgojë vaksina vendeve të tjera
22.04.2021 09:50
Shtetet e Bashkuara po punojnë për të siguruar vaksina për koronavirusin për vendet e tjera...

Shtetet e Bashkuara po punojnë për të siguruar vaksina për koronavirusin për vendet e tjera që kanë nevojë të jashtëzakonshme për to, u tha presidenti Joe Biden gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën.
Pasi njoftoi se Shtetet e Bashkuara kanë injektuar 200 milionë doza vaksinash kundër COVID-19, presidenti u pyet se si mund të ndihmohen vendet e tjera.
"Kemi filluar përpjekjet për ta bërë një gjë të tillë. Kemi dhënë një sasi. Tani do të shohim se çfarë do të bëjmë me disa nga vaksinat që nuk po i përdorim. Ne duam të garantojmë që t’i dërgojmë ato në mënyrë të sigurt dhe shpresojmë të jemi në gjendje të ndihmojmë venden në gjithë botën”, u përgjigj zoti Biden.
Presidenti tha se e kishte diskutuar këtë temë të mërkurën për rreth gjysmë ore në një telefonatë me kryeministrin kanadez, Justin Trudeau.
"Kemi ndihmuar atje në një farë mase dhe do të përpiqemi të ndihmojmë edhe më shumë disa", tha zoti Biden. "Por ka edhe vende të tjera, që unë kam besim se mund t’i ndihmojmë, përfshirë në Amerikën Qendrore".
Megjithatë presidenti tha se "nuk kemi aq sa të mund të themi me siguri se do t’i dërgojmë në këtë moment”.
Administrata e zotit Biden ka investuar 4 miliardë dollarë në programin global të vaksinave COVAX për të ndihmuar me furnizimin e vaksinave në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme dhe është zotuar t’u dërgojë miliona doza të AstraZenecas, të cilat nuk janë ende të autorizuara për t'u përdorur në Shtetet e Bashkuara, Kanadasë dhe Meksikës fqinje.
