Ndahen çmimet për idetë e sipërmarrësve të rinj
Nën organizim të Ministrisë së Ekonomisë, u mbajt sot manifestimi i dytë me radhë i shpalljes së pesë planeve më të mira të biznesit, që realizohet në kuadër të projektit "Bëhu perspektiv-fillo biznesin tënd".....

Fitues për planet më të mira ishin studentët, Pançe Ribarski, Ana Minovska, Petar Ninovski, Nikolla Nikollovski dhe Besarta Xhoni, e cila ka fituar çmimin e parë me vlerë prej 330 mijë denarësh.
“Me të vërtetë jam shumë e lumtur, nuk e kam pritur këtë. Gjithmonë ka qenë dëshira ime të kem një biznes dhe ja mundësia që t’i shoh aftësitë e mija në këtë drejtim. Gjithmonë i përkrahi idetë e tilla, sidomos për biznese të reja, sidomos për femra, që janë në nivel më të ulët në republikën tonë”- deklaroi studentja, Besarta Xhoni.
Projekti, në bashkëpunim me universitetet, do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm, bëri të ditur ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
“Ministria e Ekonomisë, në buxhetin e saj ka planifikuar të ketë më tepër mjete për vitin 2015. Në vend që të jepen 5 shpërblime, do të japim dhjetë shpërblime. Dhe ideja për vitin 2015 është të bëjmë zgjerimin e këtij projekti, në drejtim që të participojnë edhe kompanitë private, që të sigurohen vende pune për më të suksesshmit me idetë e tyre, që ne i stimulojmë dhe i motivojmë në mënyrë financiare”- tha ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
Manifestimi ka për qëllim promovimin e frymës sipërmarrëse në mesin e të rinjve, përmes trajnimit të studentëve dhe sipërmarrësve të rinj, për të filluar biznesin e tyre. (Gyltene Sinani, TVM2)
