Botë
Vrasja në Elbasan, Meta: Ndërkombëtarët të jenë më parimorë
22.04.2021 15:18
Ambasadorët e OSBE, BE si edhe OKB-së kanë reaguar nëpërmjet një video-mesazhi për zgjedhjet e 25 prillit në Shqiqëri....

Ambasadorët e OSBE, BE si edhe OKB-së kanë reaguar nëpërmjet një video-mesazhi për zgjedhjet e 25 prillit në Shqiqëri. Ata bëjnë thirrje që të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke i vlerësuar si ngjarja më e rëndësishme për demokracinë. Gjithashtu i bëjnë apel qytetarëve që të mos e shesin votën. Por situata politike në Shqipëri, një ditë pas vrasjes së ish-drejtuesit të LSI në Elbasan, vijon të jetë e tensionuar. Përveçse se ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se është përgjegjësi kryesor për këtë situatë, presidenti Ilir Meta, e drejtoi gishtin edhe tek ambasadorët.
"I bëj thirrje ndërkombëtarëve të jenë më parimorë dhe të reagojnë në kohë. Në qoftë se nuk do kishin pranuar, nuk do kishin toleruar shkeljen e njëanshme të marrëveshjes së 5 qershorit, situata do kishte qenë shumë më e mirë prej kohësh. Në qoftë se do kishim reaguar që atë ditë kur vagabondi i bashkisë së Tiranës porositi që të ushtrohej dhunë në prezencë të Presidentit të Republikës kundër një partie opozitare vetëm se ajo dy ditë më parë kishte nënshkruar një marrëveshje me PD-në, nuk do kishte ndodhur plagosja në Kavajë. Në qoftë se do kishin reaguar pas plagosjes në Kavajë të dënonin sulmin e banditëve ndaj opozitës, nuk do kishte ndodhur as vrasja në Elbasan.", tha Ilir Meta, president i Shqipërisë.
Drejtori i policisë: Nuk gjetëm sende për shitblerjen e votës
Ndërsa në Elbasan ishte drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, i cili mohoi pretendimet se konflikti kishte ndodhur për shkak të blerjes së votes/. Veliu, deklaroi me përgjegjësi se nuk ishte gjetur asnjë provë e tillë.
"Shtetasi Arbër Paplekaj është i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit, e mbetur në tentativë”, “Heqja e paligjshme e lirisë e kryer me dhunë” në bashkëpunim. Janë ndaluar të gjithë personat që gjendeshin në furgonët e PD, pasi dyshohet se kanë kryer veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë e kryer me dhunë” në bashkëpunim. Në kërkim është shpallur shtetasi Klement Xhaferri, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, mbetur në tentativë.”, tha Ardi Veliu, drejtor i përgjithshëm i policisë
Si të përfshirë në ngjarje deri më tani janë arrestuar 10 persona, pjesë e strykturave të partisë demokratike. Një ditë më pare, ish-kryetari i LSI-së në në Elbasan Pjerin Xhuvani u qëlluar për vdekje nga ish-punonjësi i policisë Arbër Paplekaj, i cili pak momente më vonë u vetëdorëzua në Polici.
LULJETA NDOKA
