Maqedoni
Kumanovë, komuna e gatshme për fillimin e vaksinimit
22.04.2021 15:43
Ndër rajonet për hapjen e punkteve rajonale për vaksinimin masiv të qytetarëve nga Ministria e Shëndetësisë...

Ndër rajonet për hapjen e punkteve rajonale për vaksinimin masiv të qytetarëve nga Ministria e Shëndetësisë përmendet edhe rajoni i Kumanovës. Në këtë drejtim edhe kreu i Kumanovës Maksim Dimitrievski ka ofruar ndihmën dhe bashkëpunimin për fillimin sa më të shpejtë të imunizimit masiv të qytetarëve me vaksina anti Covid-19.
“Për momentin kemi vetëm kontakte në relacionin Komunë-Ministri e Shëndetësisë, si dhe me përfaqësues të organizatave shëndetësore në Kumanovë. E gjithë kjo me qëllim të organizimit të sistemit për vaksinim. Mirëpo ende nuk kemi marr kurfar përgjigje zyrtare me shkrim nga MSH”, tha mes tjerash Dimitrievski.
Kreu i Kumanovës si opsion i hapjes së disa pikave të vaksinimit në rajonin e Kumanovës parasheh sallat sportive të disa shkollave fillore dhe të mesme.
“Në opsion si punkte për vaksinim janë disa salla të sporteve të shkollave fillore dhe të mesme në Kumanovë, port ë cilat posedojnë edhe parkingje për parkimin e automjeteve. Në këto salla parashohim vaksinimin masiv të popullatës në nivel rajonal. Por megjithatë ne jemi institucione dhe punojmë në bazë të akteve të shkruara. Besojmë se MSH, e cila është përgjegjëse për zbatimin e drejtpërdrejtë të vaksinimit do të gjejë mënyrë që sa më shpejtë të hapë punktin për vaksinim dhe të filloj vaksinimin e popullatës sipas prioriteteve”, tha Dimitrievski.
Deri më tani dozën e parë të vaksinës anti-Covid 19, e kanë pranuar mbi 700 qytetarë të Kumanovës, kryesisht, punonjs shëndetësor, të moshuar, policë, gazetarë dhe qytetarë të tjerë nga listat me prioritet.
FATLUM AQIFI
