Osmani: Kosova nuk hyn në aventura të rrezikshme të ndryshimit të kufijve
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani....

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova nuk do të hyjë në aventura të rrezikshme siç është ndryshimi i kufijve të Kosovës në kuadër të procesit të dialogut më Serbinë.
Në konferencën e përbashkët me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas, ajo tha se Kosova do të jetë pjesë e dialogut, por që duhet të rishikohen marrëveshjet e kaluara. Ajo tha se presin që ky proces të përfundojë me njohje reciproke.
“Kosova ka qenë e përfshirë në dialog dhe ka ofruar bashkëpunimin pavarësisht se Serbia ende nuk ka pranuar fajësinë për krimet e kryera në Kosovë, dhe ne do të vazhdojmë të ngrisim zërin për të kërkuar drejtësi. Kosova nuk do të hyjë në avntuar të rrezikshme qoftë me ndryshimin kufijsh që është e shekullit të kaluar por as cenimit të Kushtetutës së Kosovës. Natyrshëm presim që ky dialog të përfundojë me njohje reciproke” – është shprehur Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Maas: Pa njohjen e Kosovës nga Serbia, nuk ka zgjidhje, duhen kompromise
Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Heiko Maas, ka thënë se në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të ketë kompromise, ndërsa shtoi se njohja e Kosovës nga Serbia do të jetë një nga elementet e zgjidhjes në fund të procesit të dialogut. Kryediplomati gjerman tha se ka dëgjuar nga Osmani kërkesat për dialogun të cilat do t’ia përcjellë të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
“Njohja e Kosovës do të jetë një nga elementet e zgjidhjes, përndryshe nuk do të realizohet. Duhet të ketë kompromise. Nuk dua të vë vija të kuqe, por e di që për rrethana historike do të jetë e vështirë dhe nuk dua ta ngarkoj procesin më teje. Dëshiroj që në fund të dialogut të ketë zgjidhje”, Kam dëgjuar temat që janë të rëndësishme për qytetarët në Kosovë dhe do t’i marr me vete dhe këto t’ia përcjell Lajçakut. BE-ja mund të japë kontribut që këto çështje të zgjidhen” – ka thënë Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas.
Maas tha se rivizatimi i kufijve është ide e rrezikshme, siç u shfaqën së fundi. Sipas tij , idetë dhe çështjet që janë shprehur kohët të fundit se çështjet mund të zgjidhen me vizatim të vijave janë jo realiste dhe ide të rrezikshme.
Maas premtoi edhe mbështetje ndaj Kosovës që liberalizimi i vizave të ndodh sa më shpejtë. Ndërkohë, ai tha se javën e ardhshme platformës COVAX do t’i shtohen edhe 100 mijë doza të reja, me qëllim të vaksinimit sa më të shpejtë të populates në Kosovë. (Flutura Latifi, TVM2)
