Osmani në Kosovë: Ambicia jonë, integrimi i plotë i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, po qëndron në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë...

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, po qëndron në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë që pas emërimit në postin e rid he pas zgjehdjes së qeverisë së re në Kosovë. Në pres konferencën e përbashkët në Prishtinë me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, u potencua bashkëpunimi i shkëlqyer mes dy vendeve. Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë aktualisht rreth 30 marrëveshje të lidhura ndërshtetërore.
“Më gëzon fakti që bashkë me ministren Gërvalla theksuam raportet jashtëzakonisht pozitive bilaterale – dy shtete sovrane që kanë një numër të madh të pikave të përbashkëta. Është një shembull i mirë për rajonin që ende po ballafaqohet me sfida të shumta.Biseduam për shumë çështje konkrete, tema ekonomike, lidhje infrastrukturore, lidhje energjetike, gazi natyror, lehtësimi i transportit të mallrave”, tha Osmani.
Në takim janë hapur edhe cështjet e karakterit rajonal e ndërkombëtar.
“Maqedonia e Veriut si anëtare e NATO-s tërësisht përkrah perspektiven euroatlantike të Kosovës. Ambicia është integrimi i plotë i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe si vend negociues me BE-në, jemi të gatshëm t’i vendosim në dispozicion të Kosovës të gjitha njohuritë tona. Maqedonia e Veriut mbështet përpjekjet për të mbyllur çështjet e hapura në rajon – dialogun Kosovë-Serbi dhe vlerëson se qëllimi final duhet të jetë njohja e ndërsjellë e dy shteteve dhe integrimi evropian i gjithë rajonit”.
Ministrja Gërvalla thotë se në planin ekonomik kanë një komunikim dinamik derisa ka komentuar edhe “non-paper” përmes të cilit parashihet rivendosje e kufijve në Ballkanin Perëndimor.
“Edhe përmendja e tyre është tepër e rrezikshme për rajonin. Ne kemi pasur edhe në vitin 2018 tendenca për gjetjen e zgjidhjes në shkëmbime të territoreve, në ndarje të vendit në bazë të vijave etnike. Për ne është shumë e qartë. Nuk është asnjë opsion ajo që shkruhet nëpër letrat e tilla, pavarësisht ku janë autorët dhe pavarësisht a janë menduar vetëm si teza për t’u diskutuar apo për t’u implementuar. E shohim të rrezikshëm dhe do të duhej të gjitha palët të ishin shumë të kujdesshme sepse në këtë formë cyten konfliktet të reja të cilat për rajonin tonë janë krejtësisht të panevojshme”, deklaroi Gërvalla.
Osmani ndër të tjera deklaroi edhe se Maqedonia e Veriut e mbështet procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohje të ndërsjellë si qëllim final. Ai gjithashtu potencoi qëndrimin e prerë të Shkupit zyrtar se në Ballkan janë përdorur shumë modele në trajtimin e çështjeve etnike. Marrëveshja e Ohrit dhe Pavarësia e Kosovës janë treguar si modele të suksesshme në rajon. Alternativa e vetme për paqe të qëndrueshme është zgjerimi i NATO-s dhe integrimi i rajonit në Bashkimin Evropian.
Aktivitetet diplomatike të Osmanit në Prishtinë vazhdojnë me takimet e tij me Kryetaren e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu, Kryetarin e Parlamentit Glauk Konjufca dhe Kryeministrin Albin Kurti.
