Të drejtat e minoriteteve, shtyllë e demokracisë
26.11.2014 15:06
Ballkani Jugperëndimor, paraqet një mozaik të përzierjes së popujve në çdo shtet dhe si i tillë regjioni ynë nuk ka qenë imun ndaj konflikteve në të kaluarën, prandaj vëmendja që u kushtohet të drejtave të njeriut dhe minoriteteve është një nga shtyllat kryesore për themelimin e demokracisë dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm të rajonit.....

Kështu vlerësoi sot ministri i Pushtetit Lokal, Lirim Shabani, me rastin e prezantimit të projektit “Përparimi i të drejtave dhe minoriteteve në Evropën Juglindore”.
“Qeveria e RM-së, në veçanti Ministria për Vetëqeverisje Lokale, janë duke punuar me përkushtim të madh në këtë drejtim, sepse Maqedonia, si nënshkruese e konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, qëndron fortë në parimet e saj se vetëm barabarësia mes njerëzve mund të sjellë lumturi, respekt të ndërsjellë dhe përparim të kualitetit jetësor. Ne jemi të vetëdijshëm se mbetet edhe shumë punë për t’u bërë, por themelet e vendosura të demokracisë çojnë në drejtim të barazisë dhe në drejtim të Evropës së bashkuar”- deklaroi ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Lirim Shabani.
“Me implementimin e këtij projekti në trojet ballkanike, dëshirojmë aplikimin praktik të instrumenteve legale për përmirësimin e jetës së minoriteteve në shoqëri, në punë, shkollë dhe në të gjitha segmentet jetësore”- tha përfaqësuesi i Këshillit Evropian, Tim Cartëright.
Ky projekt mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, ndërkaq do të zbatohet në 36 komuna të Ballkanit Perëndimor, si në Kosovë, Shqipëri, Serbi, Maqedoni, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci.
Projekti është hartuar për të hequr barrierat e pakicave, me qëllim që të mund të gëzojnë plotësisht të drejtat e tyre. (Valbon Bexheti, TVM2)
