Maqedoni

Vaksinohen deputetët, Xhaferi pret normalizimin e punës së Kuvendit

23.04.2021 14:14

Në kuadër të procesit të imunizimit të infrastrukturës kritike, radhën për vaksinim e kishin deputetët dhe të punësuarit në shërbimet e kuvendit....

Në kuadër të procesit të imunizimit të infrastrukturës kritike, radhën për vaksinim e kishin deputetët dhe të punësuarit në shërbimet e kuvendit. Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, u shpreh se me vaksinimin e deputetëve pret që Kuvendi t’i rikthehet funksionimit në normalitet.  Vaksinimi bëhet me vaksinën ruse “Sputink”, ndërsa është e drejtë e secilit individ nëse dëshiron ose jo të vaksinohet, tha Xhaferi.
 
“Imunizimi i deputetëve fillon sot me dozën e parë dhe sipas protokolleve doza e dytë presim të jetë diku në mesin e muajit maj dhe nga atëherë duhet të rikthehet normaliteti i punës së parlamentit normal, duke vazhduar të respektohen rregullat dhe procedurat të cilat mbeten në fuqi deri atëherë dhe pas asaj, derisa nuk ka ndryshime për protokollet dhe procedurat e punës së institucioneve përkatëse.”,- tha kryetari i kuvendit, Talat Xhaferi.
 
Deputetët që u vaksinuan apeluan te qytetarët që në asnjë mënyrë të mos refuzojnë vaksinimin.
 
“Ne morëm dozën e parë të vaksinës dhe besojmë që kjo dinamikë për vaksinimin e qytetarëve në ditët në vijim të përshpejtohet. Ne deshëm të tregojmë me shembullin tonë konkret se vaksinimi është një mundësi që të mbrohet jeta e qytetarëve, është mundësi që të kalojmë më shpejt këtë situatë me Covid-19.”,- tha deputeti, Bilall Kasami.
 
“Mund të them se procesi i vaksinimit po shkon në mënyrë të shkëlqyer, ka një organizim të mirë. Nga ajo që kam si informacion, vaksinat ashtu siç vijnë, do të ftohen qytetarët dhe dua të shfrytëzoj rastin t’iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve të paraqiten atëherë kur ftohen, ashtu që të përmbyllim sa më shpejt dhe me sukses këtë proces.”,- theksoi deputeti, Jovan Mitrevski.
 
Ndërsa deputeti dhe njëherit kryetar i PLD-së, Pavle Trajanov, u shpreh i zhgënjyer me MSh-në, pasi, siç tha, njoftimi për vaksinim ka qenë se deputetët do të vaksinohen me “Fajzer” e jo me “Sputink V”. 
 
“Mendoj se janë të diskriminuar deputetët për shkak se ne nuk kemi të drejtë për zgjedhje. Qytetarët janë në përparësi, pasi e shoh ka vaksina “Pfizer”, por dhe vaksina të tjera dhe mund të zgjedhin. Kjo situatë është katastrofale, është papërgjegjësi totale, problem është se ndryshe ishte njoftimi dhe diçka krejt tjetër doli në praktikë.”,- u shpreh kryetari i PLD-së, Pavle Trajanov.
 
Imunizimi i deputetëve pritet të debllokojë punën e Kuvendit, pasi që nga fillimi i pandemisë, për shkak të prekjes me Covid-19 të disa deputetëve, disa herë kanë dështuar seancat kuvendore.
 
ZEKIRJA MEXHITI