Maqedoni
Filipçe: Vendimi për masat, javën e ardhshme
23.04.2021 14:38
Gjendja epidemiologjike në vend po shkon drejt përmirësimit, vlerëson ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe...

Gjendja epidemiologjike në vend po shkon drejt përmirësimit, vlerëson ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, bazuar në uljen e numrit të rasteve të reja pozitive dhe numrin e kontrolleve mjekësore në Kovid qendrat në vend. Ka rënie të numrave për 50 deri në 100 të rasteve të sapodiagnostikuara në ditët e fundit, tha ministri i cili paralajmëroi edhe lirimin e një pjese të reparteve që ishin angazhuar në mënyrë shtesë për trajtimin e Kovid pacientëve, pasi tanimë ka mjaftueshëm shtretër të lirë. Ndërsa në fillim të javës së ardhshme do të vendoset nëse do të mbeten në fuqi apo do të zbuten masat aktuale kufizuese.
“Besoj se këto tendenca do të vazhdojnë dhe nuk do të ketë asgjë që do të na befasojë. Në fillim të javës tjetër do të flasim më tej për llojin e masave kufizuese që do të propozojmë.”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Filipçe: Pas Pashkëve nisë vaksinimi në gjashtë qytete
Në fillim të javës në vend arritën 10 mijë e 600 vaksina “Pfizer”, ndërsa deri në fund të muajit pritet arritja edhe e 10 mijë dozave të tjera si dhe 200 mijë vaksina kineze “Sinofarm”, prandaj ministri Filipçe paralajmëroi se pas festës së Pashkëve të nis vaksinimi i 150 mijë qytetarëve që deri tani kanë shprehur interesim për t’u vaksinuar.
“Vaksinimi me atë vaksinë do të fillojë të martën menjëherë pas përfundimit të festës së Pashkëve. Deri atëherë të gjitha sallat sportive do të jenë gati në gjashtë qytete. Salla në Ohër tanimë është e përgatitur, deri të martën edhe të gjitha të tjerat në qytetet tjera, në Shtip, Kumanovë, më pas në Manastir, Tetovë dhe Kavadar, të cilat do të jenë të përgatitura me pajisjet e nevojshme dhe kuadër.”- theksoi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Filipçe, njëherit bëri të ditur se gjatë muajit maj do të arrijnë edhe 25 mijë doza të vaksinës “Pfizer”, përkatësisht çdo të hënë, do të arrijnë 5 mijë deri në 7 mijë vaksina, për të arritur numrin e përgjithshëm prej rreth 26 mijë vaksinave. Ai njëherit apeloi te qytetarët që të vazhdojnë të paraqiten për t’u vaksinuar, por edhe të respektojnë masat dhe të jenë të kujdesshëm për t’u mbrojtur nga Kovid-19.
GYLTENE SINANI
