Maqedoni
Zaev: Paunovski do të shkarkohet
23.04.2021 15:48
Kryeministri, Zoran Zaev, ka kërkuar shkarkimin e drejtorit të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Stojko Paunovski....

Kryeministri, Zoran Zaev, ka kërkuar shkarkimin e drejtorit të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Stojko Paunovski, pasi ky i fundit ka refuzuar të pranojë 35 administratorët që janë dërguar nga Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive që drejtohet nga zëvendëskryeministri, Artan Grubi.
“Unë pres që të jepet propozim për shkarkimin e tij dhe atë e vendos Nikollovski, sepse nuk mund të lejosh që publikisht të bësh komente të tilla duke i nënçmuar të tjerët për diçka që është shumë transparente, sepse vet institucionet kanë dhënë shembuj të tilla korrekte, por është normale që nëse nuk mund të kryhet një sistematizim, nuk është patjetër që ato të pranohen. Por, këto çështje qytetarët presin nga ne që t’i zgjedhim, sepse po kalojnë muaj e vite e njerëzit po paguhen duke qëndruar në shtëpi dhe kemi filluar proces serioz që ata të sistematizohen. Unë pres që ai të shkarkohet në bazë të procedurave.”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Zaev po ashtu potencoi se sistematizimi i të punësuarve si pjesë e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat ka qenë plan i Qeverisë, prandaj ai tha se nuk do të lejohet që zëvendëskryeministri për çdo ditë të ballafaqohemi me probleme të kësaj natyre.
“Çdo ditë bëhen polemika me zëvendëskryeministrin me kryeministrin është çështje që nuk do ta lejoj. Hierarkia duhet të respektohet, sepse në fund të fundit ne e mbajmë përgjegjësinë para qytetarëve. Stojko Paunovski do të mbetet mik i imi i mirë, por këtu po flasim për principe dhe se këto janë argumente të mjaftueshme për shkarkimin e tij.”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
Nga ana tjetër, Paunovski është shprehur i zhgënjyer nga kryeministri, Zoran Zaev, ndërsa sipas tij nga 35 të punësuarit, 12 prej tyre janë me arsim të duhur dhe se për të njëjtit nuk do të ketë problem, por ai nuk ka pranuar që në drejtorinë që ai e drejton, të punësohen persona të cilët janë pa arsim të duhur. Paunovski është ankuar se po sillen persona për njësitë rajonale në Tetovë, Gostivar, Kërçovë dhe Strugë, ku sipas tij nuk ka nevojë për punësime të reja. Nga 1349 administratorët në fjalë kryeministri ka bërë të ditur se 1182 kanë pranuar sistematizimin, ndërsa 38 e kanë refuzuar, derisa 13 persona kalojnë në listën e transfereve.
FITIM KRYEZIU
