Botë

Shqipëri, situata e tensionuar dy ditë para zgjedhjeve

23.04.2021 16:28

Dy ditë para zgjedhjeve parlamentare, situata politike në Republikën e Shqipërisë vijon të mbetet e tensionuar...

Dy ditë para zgjedhjeve parlamentare, situata politike në Republikën e Shqipërisë vijon të mbetet e tensionuar. Funksionarë të Partisë Demokratike vijojnë të paralajmërojnë se do të mbrojnë verdiktin e popullit me çdo kusht, madje edhe me kosto në jetë njerëzish.
 
“I bëj thirrje çdo qytetari të Dibrës të dalë dhe ta mbrojë me gjak, me sopata, me drunj apo çfarë të dalë para kushdo që do përdorë voton e një qytetari. Jam i sigurtë që jo vetëm demokratët, por edhe socialistët janë bashkuar në këtë betejë”. tha kreu i listës së PD-së për Qarkun Dibër Xhelal Mziu.
 
Pas kësaj deklarate, kandidati i PD-së në Dibër ka kërkuar falje, ndërsa kryeministri, Edi Rama, në një reagim u shpreh se në pushtet nuk vihet duke vrarë, dhunuar e kërcënuar.
 
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i ambasadores amerikane, Yuri Kim, e cila theksoi se ngjarja e Elbasanit nuk duhet të përsëritet dhe ditët e grupeve të armatosura me logo partie duhet të marrin fund.
 
Teksa kanë mbetur pak orë deri në hyrjen në fuqi të heshtjes zgjedhore, akuzat mes palësh për blerje votash po përshkallëzohen. Në Dibër është arrestuar një zyrtar i bashkisë, pasi u kap me sasi të konsiderueshme parash, që dyshohet se do t’i përdorte për blerje votash.
 
LULJETA NDOKA