Maqedoni
LSDM: Policia vepron me efikasitet kundër krimit; VMRO-DPMNE: MPB me në krye Spasovskin, simbol i krimit
24.04.2021 14:43
MPB në vazhdimësi zbaton aksione kundër krimit dhe korupcionit, me çka policia është bërë mbrojtës i qytetarëve...

MPB në vazhdimësi zbaton aksione kundër krimit dhe korupcionit, me çka policia është bërë mbrojtës i qytetarëve, thonë nga LSDM. Sipas partisë në pushtet, policia përmes efikasitetit dhe joselektivitetit të saj ka bërë që të kapet një sasi e madhe e drogës si dhe është vënë rend në trafikun rrugor.
“Sipas të dhënave në tre muajtë e parë të vitit 2020 është sekuestruar drogë prej 14.8 kilogramëve, përderisa nga 1 janari deri më 15 prill të këtij viti është sekuestruar drogë prej mbi 800 kilogramëve. Patrollat e rregullta të trafikut, qasja joselektive ndaj sanksionimit, sollën deri te ulja e dukshme e aksidenteve të trafikut”, u shpreh Darko Kaeski nga LSDM.
Por nga VMRO-DPMNE reagojnë duke tënë se MPB në krye me Spasovskin është shndërruar në simbol të mbrojtjes së krimit. Sipas VMRO-së në kohën e Spasovkit janë nxjerrë 215 pasaporta për bosët botërore të drogës, kurse vrasjet janë bërë përditshmëri.
“Oliver Spasovski e shkatërron kredibilitetin e pasaportës maqedonase. Spasovski nuk ka asnjë rast të zbardhur, kurse ka dhjetëra vrasje të pazbardhura. Me Spasovskin në krye të MPB-së gjuajtja me kallashnikov në mes të qendrës së Shkupit u bë një gjë normale. Oliver Spasovski është minstri i vetëm të cilit i ka dështuar akcioni kundër rrjetit narkotik siç është ai i Grçecit dhe Haraçinës. MPB nuk e sanksionon krimin, por e favorizon”, thuhet në reagimine VMRO-DPMNE-së.
ERSAN PAJAZITI
