Kulturë
Qendra për Kulturë në Kërçovë shënon Ditën botërore të librit
24.04.2021 19:25
Me moton “Libri jam unë” në Kërçovë u shënua Dita botërore e librit...

Në këtë projekt të mbështetur nga Ministria e Kulturës u prezentuan video materiale të përgaditura nga nxënësit e shkollave fillore të qytetit të Kërçovës.
Ndryshe nga herat tjera, aktiviteti i sivjetëm për shënimin e Ditës Botërore të Librit në Kërçovë u realizua sipas protokoleve për preventivë ndaj pandemisë.
Në këto kohë të trishta për botën, libri është e vetmja liri në këtë izolim gjithëpërfshirës që mund të shfrytëzohet për zgjërimin e horizonteve, për kreativitet dhe stimulimin e mendjes sonë, u tha në fillim të manifestimit që u zhvillua mbrëmë në hapësirat e Qendrës për Kulturë në Kërçovë, nën moton “Libri jam unë”.
Përmes transmetimit në rrjetin social fesbuk, u prezentuan thëniet e shkrimtarëve të njohur për librin dhe rëndësinë e tij, si dhe video materialet e përgatitura nga nxënësit e shkollave të qytetit të Kërçovës.
Me këtë rast drejtori i Qendrës për Kulturë Mazllam Osmani, potencoi se ky aktivitet që i kushtohet librit dhe rëndësisë së tij, realizohet në bashkëpunim me shkollat e qytetit të Kërçovës dhe shtoi se aktivitetet e këtilla do të organizohen edhe në të ardhmen, por gjithnjë duke respektuar masat e institucioneve përkatëse shëndetsore.
Ai u apeloi nxënësve që të shfrytëzojnë bibliotekën e pasur me libra por edhe platformën elektronike rajonale, ku nxënësve ju ofrohen përmbajtje të ndryshme në formë të shkruar dhe elektronike.
SHABAN DALIPI
