Maqedoni
Botohen pas vdekjes 2 vepra të prof dr. Shaban Prevallas
26.11.2014 16:34
Instituti për Studime Politike dhe Ndërkombëtare, ka promovuar dy veprat e të ndjerit, pr.dr. Shaban Prevallas...

Sipas profesorëve universitarë, “Arsimimi në media” dhe “Komunikimi interpersonal” janë librat nëpërmjet të cilave prof. Prevalla i ka dhënë trajtim bashkëkohor arsimit në media, ku gjithashtu ka paraqitur edhe distiksion nëpërmjet rolit edukativ dhe rolit manipulativ në media.
“Ky libër para së gjithash u dedikohet studentëve të komunikologjisë, u dedikohet edhe atyre që janë përcjellës të materies së komunikologjisë, apo mësimdhënësve, u dedikohet edhe njerëzve të cilët merren me gazetari, apo zhurnalistikë dhe normalisht të gjithë atyre që duan të pasurojnë bagazhin e tyre me dije dhe të dhëna të reja”- deklaroi profesori universitar, Ali Pajaziti.
“Profesori i nderuar ka vënë nën dioptrinë metodologjinë hulumtuese shkencore, një fushë që është shumë e rëndësishme në kohën e globalizimit dhe modernizmit”- tha profesori universitar, Sefer Tahiri.
“Autori jep një trajtim shumë bashkëkohor të arsimit, duke vështruar atë nga segmenti i mediave. Ai përpiqet të bëjë distikcion ndërmjet rolit edukativ të mediave dhe rolit manipulativ, respektivisht rolit informativ, apo tendencës sensacionale që kanë mediat”- u shpreh profesori universitar, Qashif Bakiu.
Prof. dr. Shaban Prevalla, ka nderuar jetë në moshën 66 vjeçare. Ai ishte ish-zëvendësguvernator dhe profesor në Fakultetin për Shkenca Shoqërore në Shkup, deputet në njërën nga përbërjet e mëparshme të kuvendit, si dhe drejtor financiar dhe drejtor i Bankës Interne “Treska”, ndërsa punonte edhe si gazetar në Radio Televizionin e Maqedonisë-Shkup.
Dy vjet ishte edhe profesor në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, në kolegjin "Fama" dhe në Universitetin "Pjetër Budi" në Prishtinë. Prevalla, është i njohur jo vetëm si ekonomist, por edhe si hulumtues, analist dhe publicist, autor edhe i disa punimeve shkencore dhe profesionale, kryesisht nga ekonomia.
BESIM ABDULLAI
