Botë

Shqipëri, zgjedhjet parlamentare 2021

25.04.2021 15:11

Që prej orës 7 të mëngjesit, në Shqipëri janë hapur qendrat e votimit, për zgjedhjen e parlamentit të ri...

Përgjithësisht, procesi konsiderohet i rregullt, megjithatë nuk kanë munguar as incidentet. Në qarqe të ndryshme janë regjistruar disa raste të fotografimit të votave, çka ka bërë që votimi të ndërpritet për disa minuta dhe të rifillojë sërish më vonë.
 
Ndërkohë, probleme ka pasur në disa raste edhe me identifikimin biometrik, ndërsa për herë të parë në Tiranë është pilotuar votimi elektronik.
 
I pari që ka votuar ishte presidenti, Ilir Meta, ndërsa pas tij kanë votuar edhe kryeministri, Edi Rama, kreu demokrat, Lulzim Basha, dhe politikanë të tjerë. Të drejtën e votës si qytetar i Shqipërisë e ushtroi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili e cilësoi një ditë vendimtare 25 prillin. 
 
Teksa të drejtë vote kanë rreth 3,5 milionë shqiptarë, deri më tani, pjesëmarrja është ndjeshëm më e lartë se në zgjedhjet e fundit të vitit 2017. Që prej 8 vitesh në Shqipëri qeveris kryeministri, Edi Rama, ndaj sondazhet paraprake flasin për një gare të fortë me kreun demokrat, Lulzim Basha.
 
Ndërkohë, në mësditë u shënua një incident që e mori vëmendjen nga zgjedhjet. Një 32 vjeç nën efektin e lëndëve narkotike, çau barrierat e Sheshit Skënderbej, duke përplasur disa makina, por fatmirësisht u arrit të ndalohej nga disa qytetarë.  
 
LULJETA NDOKA