Maqedoni

Mbrojtja e Kamçevit, letër të hapur KE-së për monitorim

25.04.2021 15:37

Mbrojtja e biznesmenit, Jordan Kamçev, përmes një letre të hapur iu drejtuan Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës...

Mbrojtja e biznesmenit, Jordan Kamçev, përmes një letre të hapur iu drejtuan Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës me kërkesë për monitorim ndërkombëtar.
 
Ata kërkesën e arsyetojnë me faktin që sipas tyre prova kryesore me të cilën disponon Gjykata është plotësisht e paligjshme.
 
Avokati, Toni Menkinoski, thotë se edhe përkundër të gjitha insistime nga pala mbrojtës, Gjykata refuzon që atë dëshmi ta zbardh dhe t’ia prezantojë mbrojtjes. Informacioni i Agjencisë për Siguri Nacionale mbi të cilin bazohet vendimi i Gjykatës për heqjen e lirisë, jo vetëm që nuk u dorëzua te mbrojtja, por edhe Gjykata refuzon ta bëjë këtë.
 
“Institucionet ende heshtin, ndërsa më e keqja është që gjykata këtë dëshmi e llogarit si kryesoren në këtë procedurë dhe mbi bazën e kësaj dëshmie, Jordan Kamçev është i paraburgosur dhe i është zgjatur paraburgimi. Për shkak të heshtjes së institucioneve maqedonase në këtë rast, për të cilën ne përsëri apelojmë që të fillojnë të veprojnë në përputhje me integritetin e tyre profesional, mbrojtja e Kamçevit kërkon monitorim ndërkombëtar të rastit, pra kjo çështje të jetë pjesë e procesit të monitorimit i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.”,- deklaroi avokati, Toni Menkinoski.
 
Monitorimi ndërkombëtar kërkohet për shkak të, siç pretendohet, shkeljes së të drejtave dhe garancive kushtetuese të Jordan Kamçevit për "lirinë dhe sigurinë", "të drejtën për një mbrojtje efikase" dhe të drejtën e tij për një "gjykim të drejtë para një gjykate të paanshme", si dhe për shkak se ka qenë subjekt i trajtimit çnjerëzor dhe degradues nga institucionet e sistemit të cilat ia kanë kufizuar lirinë, thotë avokati Menkinoski. 
 
SANIJE DURAKU