Maqedoni

LSDM: Po realizohen reforma të mëdha në arsim

25.04.2021 16:55

Komisioni për Arsim pranë Lidhjes Social Demokrate thotë se qeveria po bën reforma të mëdha në arsim...

Sipas Elizabeta Naumovska, theks i veçantë është vendosur në tejkalimin e stereotipave të ndryshëm të cilat kanë qenë të përcjella përmes librave, siç janë gabimet në gjuhë, gabimet në përshkrimin e të kaluarës së një kombi apo etnie, por edhe puna më kualitative e arsimtarëve. 
 
“Ne kemi premtuar dhe tashmë jemi duke zhvilluar modelin tonë autentik të arsimit cilësor të disponueshëm për të gjithë. Koncepti i ri për arsimin fillor është miratuar dhe po punohet intensivisht edhe për reformat në arsimin e mesëm. Në krijimin e arsimit cilësor ne investojmë shumë në potencialin njerëzor. Mësimdhënësit të cilët do të studiojnë dhe azhurnojnë vazhdimisht në programe më inovativ të mësimit, ata do të avancohen dhe do të marrin paga më të larta. Është krijuar një model autentik, maqedonas, i përdorimit të materialeve mësimore. Nga viti i ardhshëm shkollor, nxënësit e klasës së parë dhe të katërt do të mësojnë sipas plan-programeve të reja. Për nxënësit e klasës së parë deri në të tretën do të sigurohen libra dhe letra të printuara, ndërsa për nxënësit e klasave të katërta dhe të larta do të sigurohen tekstet dixhitale dhe se materialet mësimore do të jenë në dispozicion për çdo nxënës në gjuhën e mësimit.”,- tha kryetarja e Komisionit për Arsim në LSDM, Elizabeta Naumovska.
 
VMRO-DPMNE: 10% e fëmijëve nuk po e ndjekin mësimin
 
Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i partisë më të madhe opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE-së. Sipas kësaj të fundit, Mila Carovska dhe Zoran Zaevi me largimin e librave të shtypur po largon nga procesi arsimor 10 për qind të nxënësve të cilët nuk kanë mundësi të ndjekin mësimin online.   
 
“Mila Carovska dhe Zoran Zaevi me largimin e librave të shtypur po i largojnë nga procesi arsimor 10 për qind të nxënësve, të cilët nuk kanë mundësi të ndjekin mësimin online. Me këtë nga Qeveria po i largohet e drejta ligjore fëmijëve që të kenë libra për mësim. Duke marrë parasysh se numri i përgjithshëm i nxënësve në Maqedoni është rreth 250,000, ndërsa numri i këtyre nxënësve që Carovska dhe Zaev tani po përjashtojnë nga arsimi është rreth 25,000. Edhe tani gjatë epidemisë, kaq shumë fëmijë janë përjashtuar nga arsimi. 1,300 nxënës nuk kanë energji elektrike në shtëpitë e tyre. Po ashtu rreth 25 mijë të tjerë sipas informatave mësojnë nga televizionet e tyre dhe nga materiale të shtypura, por këtë të drejt atyre tani Zaev dhe Carovska do t’ua shkurtojnë.”,- u tha nga VMRO-DPMNE. 
 
Propozim ligj sipas LSDM-së është në procedurë parlamentare dhe shumë shpejt pritet të miratohet, me qëllim që deri në fillim të vitit të ri shkollor, metodologjia e re të vihet në funksion.
 
FITIM KRYEZIU