Maqedoni
Ekspertët: dhuna e adoleshentëve burimin e ka në familje
26.11.2014 16:51
Shpeshtimi i konflikteve të dhunshme me armë të ftohta ose mjete të forta vjen si pasojë e konflikteve në familje...

Shpeshtimi i konflikteve të dhunshme me armë të ftohta ose mjete të forta vjen si pasojë e konflikteve në familje, arrestimet spektakolare, dhuna në media dhe lojërat e dhunshme që luajnë të rinjtë në internet.
Sipas ekspertit për çështje të dhunës te adoleshentët dhe te të rinjtë, Bashkim Selmanit, rastet e komunikimit të dhunshëm mes të rinjve në shkollat fillore dhe të mesme zakonisht nxiten nga fëmijë të ngarkuar psiqikisht, të cilët rrjedhin nga familje me probleme dhe konflikte të vazhdueshme.
“E para ka të bëjë me edukimin brenda raporteve familjare, pra ku rritet një i mitur dhe i ri në aspektin familjar dhe risocializimi, ose mënyra e komunikimit me publikun. Në shumicën e rasteve kur paraqiten këto faktorë, prishja ose çrregullimi i raporteve komunikuese mes dy të rinjve reflekton në atë që është paraqitja e dhunës”- deklaroi eksperti, Bashkim Selmani.
Por, faji nuk mbetet te familja, në të cilën mund të ketë konflikte për arsye të ndryshme. Përgjegjësia bie mbi shkollat, të cilat nuk bëjnë seleksionimin e nxënësve problematik dhe nuk kërkojnë ndihmën e Qendrës për Mirëqenie Sociale, në harmoni me ligjin, për të parandaluar aktet e dhunës në dhe rreth shkollave, që në Maqedoni mesatarisht rezultojnë me disa të lënduar në vit dhe një viktimë në dy-tre vjet.
“Shkollat e mesme, por edhe ato fillore, ku kemi paraqitje të këtyre elementeve, institucionet duhet të bëjnë ndarjen e atyre njerëzve, ose atyre pak nxënësve të cilët rezultojnë që janë nga familja problematike dhe reflektojnë edhe në shoqëri”- tha Selmani.
Sipas Selmanit, numri i nxënësve problematik, ose që kanë komunikim të dhunshëm nëpër shkolla, është 2/3% nga numri i përgjithshëm i nxënësve. Rregullativa ligjore ekziston, ndërsa institucionet vetëm duhet ta zbatojnë atë, si masë parandaluese për risocializimin e fëmijëve me sjellje të dhunshme.
SHPËTIM NUREDINI
