Maqedoni
Filipçe: Masat anti Kovid po japin rezultate
25.04.2021 17:21
Numri i Kovid pacientëve në vend vazhdon të ulet...

Nga Ministria e Shëndetësisë njoftojnë se gjithsej njëmijë e 507 pacientë po mjekohen në repartet infektive në Shkup dhe qytetet e tjera të vendit.
Sipas autoriteteve shëndetësore, ka rreth 500 shtretër të lirë në qendrat e Kovid. Në 24 orët e fundit, në Shkup janë hospitalizuar 34 pacientë të rinj, ndërsa në spitalet në kryeqendër po trajtohen gjithsej 587 pacientë.
Një numër i madh i pacientëve janë në mbështetje oksigjeni. Komisioni për Sëmundje Infektuese, në fillim të javës që vjen pritet të shqyrtojë gjendjen epidemiologjike në bazë të së cilës do të vendoset për masat kufizuese. Masat ekzistuese janë në fuqi deri më 27 prill.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, thotë se gjendja me Kovid-19 është stabilizuar, pasi masat po japin rezultate, por duhet të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm në maksimum, pasi situata mund të destabilizohet shpejt, thekson ministri.
Ai njëherit ka paralajmëruar se nga java e ardhshme pritet të arrijë sasi më e madhe e vaksinave, përfshi 200 mijë vaksinat kineze, prandaj edhe do të rriten në maksimum kapacitetet e vaksinimit.
GYLTENE SINANI
