Maqedoni
Ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë
26.11.2014 16:57
Hyrja në fuqi e propozim-ndryshimeve në Ligjin për Kontribute për Sigurim të Detyrueshëm Social dhe në Ligjin për Marrëdhënie Pune...

Hyrja në fuqi e propozim-ndryshimeve në Ligjin për Kontribute për Sigurim të Detyrueshëm Social dhe në Ligjin për Marrëdhënie Pune, obligon punëdhënësit, që do të angazhojnë punëtorë me kontratë në vepër ose me kontratë autoriale, t’u paguajnë sigurim të detyrueshëm social.
Mirëpo kjo zgjidhje e re ligjore përmban edhe përjashtime, gjegjësisht kontrata për të cilat nuk do të paguhen kontributet dhe si për çudi parashihen përjashtime, që përfshijnë edhe propozuesit e këtyre ndryshimeve ligjore.
“Kompensimet e gjyqtarëve, porotëve, ekspertëve dhe udhëheqësve të falimentuar, si dhe të ardhurat e funksionarëve, deputetëve, këshilltarëve dhe bartësve të funksioneve tjera publike dhe personat e zgjedhur dhe të emëruar”- deklaroi drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Xhemali Mehazi.
Edhe pse autoritetet thonë se kjo nuk është përjashtim i tërësishëm, por janë larguar vetëm disa tarifa të caktuara, ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se ky ligj në të ardhmen do sjellë pasoja negative.
Përjashtimi i gjyqtarëve, deputetëve, këshilltarëve dhe funksionarëve të tjerë publik nga obligimi që për honorarët të paguajnë kontributet, nga ekspertët ekonomik vlerësohet si diskriminim ndaj të tjerëve. Sipas tyre, ligji duhet të vlejë për të gjithë njësoj.
“Akoma më e keqe është se një grup njerëzish privohet nga kjo lloj pagese dhe janë persona që kanë status oficial dhe janë funksionarë shtetëror. Atëherë ju nuk mund të krijoni rregulla dhe të prisni nga një grup i caktuar të paguajë këto kontribute nëse ata që janë kontribuues ose përpilues të këtij ligji të përjashtohen. Atëherë është një president që krijohet nga shteti dhe për mendimin tim është i dëmshëm. Për mendimin tim kjo është e dëmshme. Implementimi i ligjit duhet të vlejë për të gjithë, pa marrë parasysh a është funksionar shtetëror edhe pse ky ligj ka shumë mangësi, po duhet të vlejë për të gjithë njësoj”- tha njohësi i çështjes ekonomike, Visar Ademi.
Si duket propozuesit e këtyre ndryshimeve ligjore kanë harruar rregullën se të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit, duke bartur përgjegjësitë dhe leverditë e njëjta.
SANIJE KASAMI
