Botë

Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, KQZ: Rezultatet shpejt, komisionerët të lënë lojrat

26.04.2021 09:26

Vijon procesi i numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Deri në orën 9 të mëngjesit...

Vijon procesi i numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare  në Shqipëri. Deri në orën 9 të mëngjesit, PS kryeson me 151,612 vota, e pasuar nga PD-AN me 118,627 vota. LSI ka 21,278 vota, kurse PSD 6,274. Në qarkun e Shkodrës, Kukësit dhe Lezhës kryeson Partia Demokratike, kurse në qarqet e tjera deri tani kryeson Partia Socialiste.

Në disa zona është rikthyer problemi I vjetër me komisionerët  “e lodhur”, që lënë procesin e numërimit të votave për disa orë. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, apeloi që historitë me komisionerë të lodhur e sëmurë duhet të marrin fund dhe ajo parti që i bën këto është diskredituese përvetë partinë. Sipas tij kërkesa për pushim e komisionerëve është tregues i mungesës së vullnetit të partive.
 
“Besoj që rezultati do të dalë brenda 48 orëve, ka disa probleme në disa KZAZ me mënyrën sesi grupet e numërimit po e zhvillojnë procesin. Janë sporadike si raste, por meritojnë vëmendjen e partive dhe lidershipin përkatës, kërkesa për pushim e komisionerëve janë tregues i mungesës së vullnetit për të përmbushur detyrimet ligjore për rezultatin, nuk tregojnë vullnetin partitë duhet të kenë marrë masat që nëse anëtarët e numërimit lodhen të kenë gati anëtarët e rinj. KQZ ka marrë masat të trajnojë në mënyrë të menjëhershme”. tha Celibashi.
 
Sa i takon shpalljes së rezultatit të votimit në njësinë 10 në kryeqytet, Celibashi theksoi se ky votim është 100% i sigurt.
 
“Nga pikëpamja teorike dhe praktike ky rezultat duhet të ishte shpallur edhe më herët por meqënëse ishte hera e parë që po e implementonim këtë mënyrë votimi dhe secila palë kishte merakun e vet u dakordësuam që ta shpallnim sot në orën 8 të mëngjesit të sotëm. Mbetet fakti që sistemi i votimit elektronik është 100% i sigurt në ruajtjen e identitetit dhe sigurisë së votimit. Ne jemi dëshmitarë që për mënyrën sesi janë përbërë komisionet zgjedhore partitë politike kanë ndikim të madh, por nga raportimet e KQZ në administrimin e procesit ka pasur përmirësime”. u shpreh Celibashi.
 
I pyetur për tërheqjen nga gara të Tom Doshit, ai tha se do ta vlerësohet në përputhje me parashikimet e kodit Zgjedhor.