Maqedoni

Ndryshimi i kufijve në Ballkan, KE: Çështje e mbyllur një herë e përgjithmonë

26.04.2021 15:20

Qëndrimi i Bashkimit Evropian rreth ideve për ndryshimin e kufijve në Ballkan Perëndimor...

Qëndrimi i Bashkimit Evropian rreth ideve për ndryshimin e kufijve në Ballkan Perëndimor, është i qartë, nuk ka nevojë për asnjë ndryshim kufijsh. Kështu deklaroi sot në një konferencë për mediat, Zëdhënësi i Komisionit Evropian Eric Mamer, duke u përgjigjur në pyetjen se cili është qëndrimi i presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen rreth ideve për ndryshim të kufijve, qoftë përmes dyshimeve për ekzistencën e një “non paper” slloven, apo ideve të tilla që qarkullojnë nëpër qarqe të ndryshme.

“Përveç letrës që përmendet, e së cilës i referohen shumë e ne nuk e kemi parë, nuk jemi në dijeni për idetë tjera për këtë dhe e dini shumë mirë pozicionin e qartë të BE-së që e kemi përsëritur shumë herë. Ne nuk jemi në asnjë mënyrë në favor të çfarëdo ndryshimi të kufijve. Duhet ta lëmë këtë çështje të mbyllur një herë e përgjithmonë. Pa marrë parasysh se a kanë ardhur letra, a do të vijnë letrat apo jo, qëndrimi ynë është shumë i qartë në këtë çështje”, ka thënë zëdhënësi i Komisionit Evropian Eric Mamer. 
 
Idetë për ndryshimin e kufijve Ballkanikë, janë përmendur së fundmi nga më shumë media në rajon, por edhe më gjerë, si mundësi për të zgjidhur çështjet e mbetura si të pazgjidhura nga procesi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Mediat në Bosnje e Hercegovinë dhe në Slloveni kanë shkruar se për këto ide kryeministri slloven Janez Jansha, vendi i së cilit merr së shpejti edhe kryesimin e radhës të BE-së, kishte dorëzuar një “non paper” me këtë ide. Por BE këmbëngul se nuk e ka parë një letër të tillë. Megjithatë, disa shtete të BE-së, Gjermania mes tyre, janë shprehur kundër ideve të tilla duke i quajtur si të rrezikshme.