Maqedoni

Struga akuzon financat, na morët 4 milionë denarë

26.11.2014 17:34

Nga buxheti i Komunës së Strugës, me vendim të Ministrisë së Financave janë tërhequr 4 milionë denarë, që ishin destinuar për shlyerjen e borxhit të shkollave...

Kështu ka denoncuar në një komunikatë për media Komuna  e Strugës, e cila e quan këtë veprim një sabotim ndaj punës së këtij institucioni dhe racizëm ndaj qytetarëve struganë.

Në reagim thuhet se vetëm gjatë këtij viti, qeveria ka marrë nga buxheti i Komunës së Strugës 281 mijë e 58 euro, kurse gjatë vitit të kaluar, 426 mijë e 156 euro.

Këto mjete, sipas reagimit, shkojnë për shlyerjen e borxhit të përbashkët që qeveria ka me Komunën e Ohrit, në dëm të Komunës së Strugës, nxënësve dhe qytetarëve struganë.

“Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë për dikë sillet si “nënë”, e për dikë si “njerkë” dhe kjo gjë bëhet me paturpësinë më të madhe edhe tek fëmijët. Qeveria ka naftë, ka para për nxënësit e komunave tjera, kurse për qytetarët e Strugës  jo që nuk jep, por edhe u vjedh para. Kujtojmë se vetëm para dy javësh paguam rreth 10 milionë denarë”, thuhet në reagimin e Komunës së Strugës, e cila i apelon edhe faktorit ndërkombëtar të ndërhyjë në zhbllokimin dhe zgjidhjen e situatës.