Maqedoni
Qeveria zbut masat, ora policore prej orës 21, nis me punë gastronomia
27.04.2021 15:18
Qeveria ka miratuar propozimin e Komisionit për Sëmundje Infektive për lehtësimin e masave kufizuese....

Qeveria ka miratuar propozimin e Komisionit për Sëmundje Infektive për lehtësimin e masave kufizuese. Vendimi parasheh që ora policore prej të mërkurën të fillojë nga ora 21:00 deri në 5 të mëngjesit. Ndërkaq, mes 1 dhe 2 majit si dhe 12 dhe 13 majit, përkatësisht për festat fetare të Pashkëve dhe Ramazanit nuk do të ketë orë policore. Po ashtu gastronomia do të mund të punojë vetëm në oborret dhe tarracat e kafeneve dhe restoranteve, ndërsa orari i punës do të jetë deri në ora 20:30. Kryeministri, Zoran Zaev, vlerëson se lehtësimi i masave restriktive dhe lirimi nga ora policore për Fitër Bajramin dhe Pashkët janë vendime të mençura të Komisionit për Sëmundje Infektive. Kryeministri vlerësoi se masat aktuale kanë dhënë rezultate.
“Komisioni punon çdoherë në mënyrë profesionale, në kohë dhe me mençuri. Ajo vërtetohet nga mençuria e vendimit, që para tri javësh, kur u arrit niveli më i lartë, të sjell vendim për mbylljen e gastronomisë dhe vendosjen e orës policore nga orës 20, me qëllim që të marrë masa preventive para festave, por edhe të ndihmojë personelin mjekësor dhe të kontribuojë në uljen e pacientëve në trajtim spitalor dhe rënien e përgjithshme të numrave.”,- u shpreh kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.
Edhe ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, vlerëson se masat e deritanishme restriktive kanë dhënë rezultat, por kujdesi duhet vazhduar edhe më tej, tha ai, dhe bëri të ditur se edhe nga liderët fetarë është kërkuar të apelohet për respektimin e masave.
“Në takimin me liderët fetarë biseduam që gjithkund të apelohet që qytetarët të respektojnë masat e caktuara, pasi ky është shpëtimi që të mos ketë përkeqësim.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Sa u përket vaksinave, Filipçe tha se vaksinat kineze pritet që më 28 prill të nisen nga Pekingu, ndërsa deri më një maj pritet të arrijnë në Shkup.
“Vaksinat kineze pritet që më 28 prill të nisen nga Pekingu drejt Stambollit, më 30 prill nga Stambolli në Beograd dhe vaksinat priten më 30 prill ose më 1 maj, me kamion frigoriferik të arrijnë këtu në Shkup dhe pastaj do t’i vendosim në dhomën e ftohtë në Poliklinikën “Jane Sandanski”, pastaj do të shpërndahen në të gjitha pikat e vaksinimit në mënyrë që vaksinimi, pas festave shtetërore, të fillojë. Deri tani janë vaksinuar rreth 53.000 qytetarë.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Masat aktuale do të jenë në fuqi deri më 15 maj, kur përsëri Komisioni për Sëmundje Infektive do të bëjë vlerësimin e gjendjes epidemiologjike.
GYLTENE SINANI
