Maqedoni
Zaev: Shenjat në fytyrë flasin për “27 prillin”
27.04.2021 16:05
Shenjat që kam në fytyrë flasin për zhvillimet e 27 prillit të vitit 2017, u shpreh kryeministri, Zoran Zaev...

Shenjat që kam në fytyrë flasin për zhvillimet e 27 prillit të vitit 2017, u shpreh kryeministri, Zoran Zaev, katër vjet pas zhvillimeve të përgjakshme në Kuvend. Ndërkohë, sa i përket tubimit të organizuar ditë më parë në mbështetje të personave të dënuar për këtë rast, tha se është çmenduri ose bashkëveprim. Në ato 2 orë e 15 minuta në çdo sekondë ka pasur mundësi të humb jetën dikush nga deputetët të cilët ishin cak i sulmuesve. Sipas tij, politika e VMRO-DPMNE-së që t’i mbron personat të cilët kanë tentuan të vrasin dikë janë të gabuara.
“Atë 27 prill të vitit 2017, plot 2 orë e 15 minuta, secila sekondë për mua me kolegët tjetër deputetë dhe gazetarët rreth nesh kanë pritur që ta humbasin jetën. Dhe sot të organizohet protestë që t’i jepet mbështetje personave të dënuar të cilët publikisht kanë tentuar të vrasin gazetarë, kameramanë e deputetë nuk mund ta cilësoj tjetër, por ja si çmenduri ose janë bashkëorganizatorë. Mua kjo ngjarje më ka motivuar që të vazhdojmë të shohim përpara.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Mickovski: Dënimet për “27 prillin” u politizuan
Por, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, ka pohuar se askush nuk përkrah dhunën, por, sipas tij, dënimet të cilat janë dhënë nga sistemi gjyqësor janë të kontrolluara nga kryeministri Zaev dhe tregojnë qartë politizimin e “27 prillit”.
“Atë të cilën unë si person e mbroj është luftë e pakompromis për drejtësi dhe luftë e pakompromis ndaj padrejtësisë që për këto katër vite është e pranishme në RMV. Askush nuk ka thënë se ne e përkrahim dhunën, përkundrazi. Nëse e hetoni rastin dhe personat të cilët janë të akuzuar për terrorizëm, atëherë mund të konstatojmë se Maqedonia është vendi i vetëm në botë që ka aq shumë terroristë në burgje.”,- theksoi lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
BDI: Dhuna e “27 prilli” të mos përsëritet kurrë
Në përvjetorin e ngjarjeve tragjike në Kuvend më 27 prill 2017, kur për herë të parë u zgjodh një shqiptar kryetar i kuvendit, Bashkimi Demokratik për Integrim thekson se “27 prilli” nuk duhet të ndodhë asnjëherë më.
“Paraqitja e mendësisë së para vitit 2001 nuk i ka hije një shoqërie multietnike dhe një shteti siç është Republika e Maqedonisë së Veriut, pasi që ajo dëmton vazhdimin e ndërtimit të mirëbesimit mes popujve tanë. BDI konsideron se këto ide arkaike dhe regresive duhet të dënohen nga të gjithë pjesëmarrësit e protestës dhe të distancohen në mënyrë që mos të identifikohen me të njëjtat. Bashkimi Demokratik për Integrim ka qenë, është dhe do të mbetet i përkushtuar që vendi të funksionojë si një shtet anëtar i NATO-s dhe një vend që në një të ardhme të afërt synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.”, - thuhet në komunikatën e BDI-së.
FITIM KRYEZIU
