Maqedoni

Linja kreditore “Kovid 4”, grand deri në 15 mijë euro për kompanitë

27.04.2021 18:00

Kompanitë nga sektori i turizmit, hotelerisë, event industrisë, tregtarët individualë dhe zejtarët...

Kompanitë nga sektori i turizmit, hotelerisë, event industrisë, tregtarët individualë dhe zejtarët do të mund të marrin deri në 15.000 euro grande nga linja e re kreditore pa interes “Kovid 4”. Ministri i Financave, Fatmir Besimi, theksoi se këtë grand do të mund ta shfrytëzojnë kompanitë nga këto sektorë nëse punësojnë punëtorë të rinj dhe nëse rrisin të hyrat këtë vit. Për realizimin e masës në fjalë janë ndarë 10 milionë euro nga buxheti, që do të plasohen përmes Bankës Zhvillimore. 
 
“Përveç linjës kreditore pa kamat do të mundësohet komponent grand prej 30% nëse ndërmarrja tregon rritje të qarkullimit vjetor të të hyrave 2021 krahasuar me vitin 2020  për së paku 10% dhe në rastin e parë grand 30 për qind dhe në rastin e dytë grand 20 për qind. Nëse plotësohen këto kushte, shfrytëzuesi mund ta realizojë të drejtën për grand prej 50%.Gjegjësisht parashihet vlera e kredive individuale do të jetë nga 3.000 deri në 30.000 euro apo komponent e grandit do të jetë nga 600 euro deri në 15 mijë euro.”,- tha ministri i financave, Fatmir Besimi. 
 
“Kovid4” është dedikuar për shoqëritë tregtare mikro, të vogla dhe të mesme deri më 250 të punësuar nga veprimtaritë e lartpërmendura të cilët mund të tregojnë rënie të të hyrave prej së paku 30% si dhe që kanë kapital Në bilancin e tyre jo më pak se 33%, theksoi Drejtori i Bankës Zhvillimore Naumov.
 
“Vlera e kredisë që mund ta shfrytëzojë subjekti i caktuar do të varet nga numri i të punësuarve në muajin janar, shkurt ose mars të vitit 2021 dhe rënies së të hyrave në vitin 2020, në raport me vitin 2019. Subjektet që kanë rënie të të hyrave ndërmjet 30 dhe 50 për qind, do të mund të shfrytëzojnë kredi prej 15.200 denarë për çdo të punësuar, ndërsa subjektet që kanë rënie të të hyrave prej më shumë se 50 për qind do të mund të shfrytëzojnë kredi për çdo të punësuar prej 22.000 denarë.”,- tha drejtori i Bankës Zhvillimore, Kire Naumov.
 
Besimi dhe Naumov njoftuan se shfrytëzuesit e “Kovid4” nuk mund ta shfrytëzojnë njëkohësisht edhe masën për Përkrahje financiare për pagesën e pagave nga Pakoja e pestë.   Afati i pagesës së kësaj kredie parashihet të jetë deri në 42 muaj me grejs periudhë prej 12 muajsh.
 
ZEKIRJA MEXHITI