Maqedoni

Qeveria, u shkarkua drejtori i ISHT-së, Paunovski

27.04.2021 18:23

Në seancën e sotme Qeveria vendosi për shkarkimin e drejtorit të Inspektoratit të Tregut, Stojko Paunovki....

Në seancën e sotme Qeveria vendosi për shkarkimin e drejtorit të Inspektoratit të Tregut, Stojko Paunovki. Shkarkimi i tij erdhi pas kundërshtimeve të drejtorit për sistematizimin e 35 administratorëve nga Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive, që ishin pjesë e 1.349 nëpunësve të programin K-5, që prej vitesh merrnin pagë por nuk shkonin në punë. Paraprakisht kryeministri, Zoran Zaev, ka deklaruar se nuk mund të tolerohet inati i drejtorit me zëvendëskryeministrin, Artan Grubi, i cili është angazhuar për sistematizimin e këtyre administratorëve në vende pune.
 
“Absolutisht nga 10 ditë 7 ditë të çoni inat me zëvendëskryeministrin në media dhe të mos vini në qeveri dhe të kërkoni zgjidhje apo ballafaqim të dallimeve në vlerësime, është e patolerueshme. Po ashtu të enjten e javës së kaluar u përpoqa ta kontaktoj por nuk munda.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Kryeministri njëherit ka theksuar se partneri i koalicionit, BDI, nuk ka kërkuar shkarkimin e Paunovskit. Paunovski insistonte se vetëm 12 nga 35 administratorët në fjalë janë me shkollimin e duhur për t’u punësuar në këtë Inspektorat. Me gjithë pretendimet e Paunovskit për shkollim adekuat në Inspektoratin Shtetëror të Tregut punojnë edhe inspektorë me fakultet të arkitekturës, filozofisë, apo me fakultet të edukatës fizike, krahas juristëve dhe ekonomistëve.
 
FITORE DEMOLLI