Maqedoni
Vazhdojnë aktivitetet kundër dhunës ndaj gruas
26.11.2014 17:59
Dhuna ndaj gruas është e pranishme në shoqërinë tonë edhe pse ne nuk duam ta pranojmë këtë...

Në një kohë kur femrat kanë treguar se dinë të jenë mjaft të suksesshme, ende shumë prej grave vazhdojnë të terrorizohen nga dhuna që ushtrohet ndaj tyre brenda familjes.
“Fati i grave tona në përgjithësi nuk është i njohur, ne kemi shembuj ndoshta në familjet tona dhe shumë pak shoqëria e njeh forcën dhe rrugën jetësore të gruas, ky ka qenë fati i saj. Unë mësova se si duhet luftuar për vetveten, si duhet luftuar për emancipimin e gruas dhe natyrisht ta kemi forcën kundër dhunës ndaj gruas. Mësova se pa emancipimin personal, pa shkollimin e saj, pa pavarësinë e saj ekonomike ajo nuk mund të jetë e fuqishme”- deklaroi kryesuesja e seancave konstituive në Parlamentin e Kosovës, Flora Brovina.
Statistikat flasin për shtim të numrit të grave të dhunuara dhe shoqëria jonë edhe pse po modernizohet, vazhdon të mbetet shoqëri që dominohet nga burrat.
“Në Evropë statistikat flasin për një numër tmerrësisht të madh, mirëpo tragjike çdoherë mbetet ajo pjesë që shumica e viktimave të dhunës në familje nuk paraqiten në institucionet kompetente, në veçanti në Maqedoni”- tha kryetarja e OJQ-së “Ajo”, Leunora Kaliqi.
“Edhe pse me kalimin e viteve ndoshta pozita e femrës ndaj mashkullit ka ndryshuar mjaftë, por prapë se prapë në shoqërinë tonë ende përcaktohet mbizotërimi dhe përcaktimi i burrave ndaj femrave në një pozitë më të lartë”- u shpreh psikologja dhe aktivistja për të drejtat e gruas, Fevzije Berisha.
Komuna e Çairit e ka kuptuar forcën e gruas dhe këtë e ka treguar me dhënien e më shumë përgjegjësive për gjininë femërore.
“Femrat janë ato të cilat e prezantojnë Çairin në Parlamentin Republikan. Ka shumë femra të cilat udhëheqin në mënyrë të suksesshme, dinjitoze, në shumë institucione edhe në kuadër të Komunës së Çairit, kemi drejtoresha të çerdheve, shkollave dhe institucioneve të ndryshme dhe unë them që kjo nuk është mjaftë, konkluzionet që do të vijnë nga ky debat, me siguri do të jenë motivuese dhe nxitëse për të rritur rolin e femrës në Shkupin e vjetër, tek shqiptarët në Maqedoni dhe në përgjithësi”- theksoi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Statistikat tregojnë se çdo vit 2 milionë gra dhe vajza trafikohen në prostitucion dhe detyrohen të bëjnë punë të ndryshme pa vullnetin e tyre.
Dhuna ndaj gruas është dhunë ndaj jetës, andaj duhet që të gjithë të ndërmarrim masa që të parandalojmë dhunën ndaj qenies më të bukur, femrës.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
