Botë

Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, Rama: Basha e PD bënë fushatën më të mirë, por PS nuk mundet dot

27.04.2021 20:22

Në një fjalim 30 minutësh, kryeministri Edi Rama ia ka dedikuar fitoren historike të mandatit të tretë...

Në një fjalim 30 minutësh, kryeministri Edi Rama ia ka dedikuar fitoren historike të mandatit të tretë, të gjithë shqiptarëve dhe familjes së tij. Rama deklaroi se Lulzim Basha nuk ishte kundërshtar i lehtë, dhe se ai ka bërë fushatën më të mirë në historinë e humbjeve. Kreu socialist i bëri thirrje Lulzim Bashës ta pranojë sa më shpejt humbjen e dinjitetshme, ndërsa i shtriu dorën e bashkëpunimit, për të qenë, siç tha ai, kryeministër i të gjithë shqiptarëve.
 
"Nëse arrijmë të bashkojmë forcat me PD, me të gjitha objektivat që na bashkojnë, kjo dekadë do hyjë në histori jo vetëm për çfarë bëm për Shqipërinë, por edhe çfarë nuk vazhduam të bëjmë kundër interesit të saj. Dy ndasitë e mëdha që vazhdojnë ta bëjnë të rrëshqitshme tokën e Shqipërisë, janë tmerrësisht të vështira për tu kapërcyer, po kaq e tmerrshme është të mos përpiqemi ti kapërcejmë dhe t’ja lejmë peshqesh të tjerëve.  Kam lindur shqiptar nuk kam lindur socialist, për mua demokratët janë shqiptarë pastaj demokrat, s’ka ku rri e keqja e madhe që të flasim shqip me njëri tjetrin sikur të jemi dy palë armiq.", tha kryeministri i Shqiprisë, Edi Rama.
 
Pavarësisht se në radhët e demokratëve po shtohen zërat që kërkojnë dorëheqejn e kreut demokrat, Lulzim Basha doli nga selia blu, duke deklaruar se misioni i demokratëve vijon pa u dorëzuar.
 
"Ne jemi më të vendosur se kurrë, kushdo që mendon se do të dorëzohemi nuk na njeh mirë. Ne do ta vazhdojmë betejën me gjithë fuqinë tonë, do të vazhdojmë të luftojmë me gjithçka për demokracinë, ne do të vazhdojmë të luftojmë deri në fitore se misioni jonë është më i madh se gjithë ne. Po u dorëzuam ne Shqipëria nuk ka asnjë mundësi dhe kjo nuk do të ndodhë kurrë.", tha  kryetar i PD-së, Lulzim Basha.
 
Nga presidenca, heshtjen e ka thyer edhe kreu i shtetit Ilir Meta, i cili e ka pranuar rezultatin, duke deklaruar se do të jetë në periudhë reflektimi, deri në muajin shtator.
 
"Më 25 Prill, ju e shprehët me votë vullnetin për të zgjedhur përfaqësuesit tuaj në Kuvendin e Shqipërisë.
 
Në këto momente është tepër e rëndësishme, që ky proces të përmbyllet qetësisht dhe që çdo votë, nga Vermoshi në Konispol, të numërohet dhe të administrohet sipas ligjit.
 
Deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar, partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre duhet të dëshmojnë maturi dhe qetësi.
 
Sfida ime madhore, sidomos këto dy vitet e fundit, ka qenë që Sovrani të shprehë i lirë vullnetin e tij dhe që Shqipëria të rikthehet në shinat e Kushtetutës, të parlamentarizmit dhe në normalitet politik.
 
Edhe pse i vetëm përballë të gjithë institucioneve të kapura, ja arrita, që 25 Prilli të ishte një ditë e qetë, paqësore, pa skena dhune dhe me pjesëmarrjen tuaj masive për të ushtruar të drejtën e votës.
 
Ndonëse dukej një sfidë e pamundur jam i lumtur, që 25 Prilli mund t’i shërbejë demokracisë dhe stabilitetit të vendit.
 
Tani është koha për të përmbyllur me qetësi dhe në respekt të ligjit procesin zgjedhor dhe më pas të gjithë të reflektojnë deri në shtator, kur krijohen institucionet e reja, që burojnë nga vota e 25 Prillit.", tha presidenti i Shqiprisë, Ilir Meta.
 
Sipas rezultatit paraprak, nga 140 mandate të Kuvendit të Shqipërisë, Partia Socialiste ka fituar 73, Partia Demokratike 59, LSI 5 dhe socialdemokratët 3.
 
LULJETA NDOKA