Maqedoni
Vendet në tranzicion, Freedom House: RMV, me përparimin e dytë më të madh demokratik
28.04.2021 10:50
Sipas raportit vjetor të Freedom House mbi gjendjen e demokracisë në vendet në tranzicion....

Sipas raportit vjetor të Freedom House mbi gjendjen e demokracisë në vendet në tranzicion, Maqedonia e Veriut ishte një nga vendet me përparimin më të madh demokratik në vitin 2020. Vlerësim I njejtë edhe për Uzbekistanin. Vendi ynë ka një përmirësim prej 0,07 pikësh, i cili është rezultati i dytë më i mirë nga një total prej 29 vendeve të analizuara në raport. Por edhe përkundër këtij përmirësimi, Maqedonia e Veriut mbetet në grupin e vendeve që kanë "regjim hibrid".
“Qeveria e majtë e Kryeministrit Zoran Zaev ka riparuar disa nga dëmet institucionale të shkaktuara nga paraardhësi i tij i djathtë populist dhe ka ende një shans për të vënë në jetë aspektet pozitive të demokracisë”, thuhet në raport.
Niveli i demokracisë, Freedom House: Rënie në Shqipëri dhe Kosovë
Në Ballkan, ku përparimet demokratike janë zmbrapsur në shumicën e vendeve, është veçanërisht e nevojshme një histori suksesi, thuhet në raport. Shqipëria, që edhe këtë vit është në kategorinë e regjimeve hibride, shënoi rënie në shoqërinë civile dhe median e pavarur. Dy treguesit me vlerësimin më të ulët janë edhe korrupsioni dhe pavarësia e gjyqësorit. Publikimi i raportit të këtij viti përkon me një kohë kur është bërë e qartë që Partia Socialiste në Shqipëri do të qeverisë edhe për një mandat tjetër. Vlerësimi për ecurinë e zgjehdjeve, do të analizohet në raportet e ardhshme të Freedom House.
Edhe Kosova është po ashtu në grupin e regjimeve hibride. Këtë vit ajo shënoi rënie në kategorinë e qeverisjes demokratike. Vlerësimet për pavarësinë e gjyqësorit dhe korrupsionin vazhdojnë të jenë të ulëta, njësoj si një vit më herët. Ngjashëm edhe në Mal të Zi.
Freedom House: Kthesa antidemokratike në shumë shtete
Në zonën me 29 vende të Euroazisë dhe të Evropës Qendrore dhe Lindore që mbulon raporti, numri i demokracive është më i ulëti që nga viti 1995. Janë shënuar shenja të thellimit të autokratizimit në vende si Hungaria dhe Polonia, të cilat ndihmuan në udhëheqjen e tranzicionit më të gjerë drejt demokracisë në vitet 1990. Forca e përgjithshme e demokracisë në rajon ka rënë për 17 vjet rresht. Rusia dhe Bjellorusi, kategorizohen si regjime të konsoliduara autoritare. Shfaqja e fundit e forcës ushtarake ruse përgjatë kufijve të Ukrainës tregojnë se deri ku janë të gatshme të shkojnë këto regjime, për të qëndruar në pushtet, thuhet në raport.
NERMINE MULAKI FEJZULLAU
