Maqedoni

Crvenkovska në krye të KGJ-RMV: Do të kthejmë dinjitetin dhe besimin në Гjyqësor

28.04.2021 13:09

Me votat unanime të 12 anëtarëve, Pavlina Crvenkovska u zgjodh në krye të Këshillit Gjyqësor....

Me votat unanime të 12 anëtarëve, Pavlina Crvenkovska u zgjodh në krye të Këshillit Gjyqësor. Ajo  premton se me ekipin e saj, do të bëjë përpjekjet maksimale për të ngritur dinjitetin e sistemit gjyqësor dhe për të kthyer besimin e  qytetarëve, për të mënjanuar çdo ndikim politik dhe ndikim biznesi mbi çdo anëtar të Këshillit Gjyqësor dhe se do të jetë transparente me mediat dhe opinionin publik. Crvenkovska, ishte propozimi i vetëm për këtë post. 
 
"Qytetarëve të RMV-së ju premtoj se përbërja e këtij Këshilli Gjyqësor, me mua si kryesuese, do të bëjë gjithçka, do të bëjë përpjekjet maksimale për të ngritur dinjitetin e sistemit gjyqësor dhe të paktën në një shkallë për të rritur besimin e qytetarëve në gjyqësor. Është koha të tregojmë se ky sistem gjyqësor dhe ky Këshill Gjyqësor mund të bëjnë shumë, se ka njohuri dhe se ka kapacitet e nevojshme.", tha Pavlina Crvenkovska, kryetare e Këshillit Gjyqësor
 
Crvenkovska apel gjykatësve: Punoni sipas ligjit dhe pa presione nga askush 
 
Crvenkovska ishte  e prerë se në këtë post nuk u zgjodh politikisht, por për shkak të profesionalizmit dhe integritetit personal, si dhe me 25 vite përvojë pune. Porositi të gjithë gjykatësit të mos bien pre e ndikimeve nga politika apo biznesi por të punojnë në përputhje me ligjet. Premtoi shpërblime për gjykatësit profesionistë por edhe shkarkime për joprofesionistët.  
 
"I porosis gjykatësit që e kanë bërë punën e tyre me ndërgjegje dhe sinqeritet deri më tani, të vazhdojnë ta bëjnë dhe te unë do të kenë  gjithmonë një aleat në mbrojtje të integritetit të tyre profesional këshilli gjyqësor është këtu që të  avancojë, shpërblejë dhe mbrojë gjykatësit profesionistë dhe të përgjegjshëm. Gjithashtu, Këshilli Gjyqësor është këtu për të shkarkuar të gjithë gjykatësit të cilët do të tregojnë se e kanë kryer punën e tyre në mënyrë joprofesionale.", tha Crvenkovska.
 
Crvenkovska është kryetarja e parë e Këshillit Gjyqësor,  që zgjidhet sipas Ligjit të ri që hyri në fuqi vitin e kaluar, sipas të cilit zgjedhja e kryetarit  bëhet nga anëtarët e këshillit me të drejtë vote,   që zgjidhen nga Kuvendi. Megjithëse kjo dispozitë e Ligjit është kundërshtuar para Gjykatës Kushtetuese, Crvenkovska thotë se seanca duhej mbajtur pasi skadoi mandati dy-vjeçar i kryetarit  aktual Kiro Zdravev, i cili nuk mori pjesë në seancë pasi është në izolim. 
 
FLORIJE BELULI KAMBERI