Maqedoni
Gostivar: Investime të reja edhe në kohë pandemie
28.04.2021 17:49
Tre kompani të Gostivarit do të mundësojnë në të ardhmen krijimin mbi 600 vendeve të reja për punë...

Sot u hodh gurthemeli i një fabrike për prodhimin e dyshekëve, ku pritet të punësohe rreth 200 persona.
Autoritetet e larta qeveritare përshëndetën nismën e kësaj kompanie e cila, në kohë pandemie shton kapacitetet prodhuese dhe krijon vende të reja pune. U paralajmëruan me këtë rast edhe dy investime të tjera në rajonin e Gostivarit.
"Afërsisht tre mijë metra katror hapësirë ku do të prodhohen dyshekë, investim ky në vlerë prej gati 5 milion dhe kjo flet më së miri për përkrahjen të cilën edhe ne si Qeveri dhe të gjithë të përfshirët në këtë proces po i japim ndërmarësisë për të realizuar investimet e tyre me të cilat do të hapin vende të reja të punës", u shpreh zv/kryeministri i parë Artan Grubi.
"Parashihet edhe një investim i cili do të fillojë së shpejti nga kompania e mirënjohur për prodhimin e produkteve ushqimore dhe ëmbëlsirave Delanona e cila do të punësojë rreth 300 persona në rajonin e Gostivarit, si dhe një kompani për amballazhimin e ujit në fshatin Çegran", theksoi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Bekteshi, paralajmëroi se javën e ardhshme në Kuvend do të dërgohet zgjidhje ligjore për përkrahje financiare të investimeve, me çka do të mundësohet përkrahje e drejtpërdrejtë si grant prej 20 për qind për të gjitha kompanitë që do të investojnë këtë vit dhe vitin e ardhshëm.
LULZIM HAZIRI
