Maqedoni

Covid-19, nesër pritet të arrijnë vaksinat kineze

29.04.2021 10:20

Procesi i vaksinimit në vend nuk po ecën me ritme të shpejta siç presin qytetarët....

Procesi i vaksinimit në vend nuk po ecën me ritme të shpejta, siç presin qytetarët. Megjithatë, gjërat do të ndryshojnë pas festave pasi nesër pritet të arrijnë 200 mijë vaksinat kineze.
 
Kjo do të thotë se pritet të rritet edhe numri i qytetarëve që do të vaksinohen në bazë ditore. Deri më sot janë vaksinuar rreth 56 mijë qytetarë, por mbi 207 mijë të tjerë janë paraqitur për t’u vaksinuar. Më pas, çdo të hënë në muajin maj do të vijnë nga 5.000 deri 7.000 vaksina Pfizer, gjithsej 26 mijë doza, njoftoi dje ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe i cili për këtë  pret informacione nga sistemi Covax.
 
Në 24 orët e fundit  në vend janë regjistruar 447  raste të reja dhe 620 pacientë të shëruar. Në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve në Shkup, ka 15 fëmijë dhe 15 nëna pozitive me Covid-19. Të gjithë janë në gjendje stabile. Trendi i rënies së numrit të sëmurëve vërehet edhe tek fëmijët, tha sot Drejtoresha e Klinikës për Sëmundje të Fëmijëve Aspazija Sofijanova. Por me gjithë numrin e ulët të infektimeve të reja, numri i fataliteteve mbetet i lartë. Betejën me virusin në 24 orët e fundit e kanë humbur 30 persona. Numri i pacientëve të shtruar në spitalet Kovid, është ulur javën e kaluar për 33.8% dhe në 33 qytete të vendit janë regjistruar 3,443 raste pozitive. Rënie për 16,5%, ka shënuar edhe numri i testeve. Që nga fillimi i pandemisë, në vendin tonë janë regjistruar gjithsej 151. 569 raste, prej të cilëve 131.530 janë shëruar, kurse 4.772 kanë ndërruar jetë. Aktualisht  në vend ka 15.267 raste aktive.