Maqedoni
Fillimi i negociatave, Osmani nis letra të shumta në adresë të BE-së
29.04.2021 10:42
Për të çuar procesin përpara, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani....

Për të çuar procesin përpara, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka intensifikuar aktivitetin diplomatik duke dërguar së fundmi letra të shumta në disa adresa të BE-së. Letra iu dërguan edhe institucioneve në Sofje por dhe eurodeputetëve bullgarë. Osmani sqaron se letrat janë pjesë e aktiviteteve në kuadër të mobilizimit të mbështetjes së plotë të vendeve anëtare dhe institucioneve europiane, për fillimin e negociatave në qershor.
“Fillimi i këtij procesi, do të dërgojë një sinjal të fortë inkurajues për vendin dhe rajonin, duke ruajtur kushtëzimin e rreptë të paraqitur nga metodologjia e re, e cila fut një mbikëqyrje më të fortë politike nga vendet anëtare dhe kthyeshmëri të procesit", shkruan Osmani.
“Vijat e kuqe” me Bullgarinë, Pendarovski: Janë diskutuar, nuk pres të jenë sërish në tryezë
Por problem mbetet marrëdhënia me Bullgarinë. Presidenti Stevo Pendarovski, pas takimit me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, konfirmoi se pjesa më e madhe e diskutimit i kushtohej mosmarrëveshjes me Bullgarinë.
"Vijat e kuqe që kemi theksuar dhe që nuk presim aspak që të jenë përsëri në tryezën e negociatave", tha Pendarovski.
Por situata politike në Bullgari në këtë moment, e bën të vështirë negociimin për çështjet e diskutueshme mes dy vendeve. Shpresat janë përqendruar në sesionin mbi marrëdhëniet mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, të cilin Unioni e ka caktuar për 10 maj.
