Maqedoni

Dimitrov: Ideja për Ballkani europian ka rrezik të zbehet

29.04.2021 12:07

Zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane, Nikolla Dimitrov, thotë se ideja për Ballkan europian do të zbehet....

Zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane, Nikolla Dimitrov, thotë se ideja për Ballkan europian do të zbehet, nëse edhe këtë vit nuk ka progres në zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai përkujtoi se Maqedonia e Veriut ishte vendi i parë në rajon që nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dy dekada më parë.
 
“Kroacia, e cila këtë vit shënon tetë vjet anëtarësim, ishte pas nesh, ndërsa ne nuk kemi filluar procesin e anëtarësimit. Me të gjitha të metat dhe papërsosshmëritë tona, ne po shkojmë përpara, siç tregoi dje raporti i “Freedom House”. Kemi zgjidhur një problem që është vështirë të zgjidhet dhe nëse këtë nuk e njeh BE, madje edhe fqinjët tanë, atëherë e gjithë e ardhmja evropiane në Ballkan do të zbehet. Ne do të jemi gjithnjë e më pak në gjendje të bindim qytetarët se kjo është reale dhe e realizueshme dhe se duhet t’u besojmë fjalëve, deklaratave dhe vendimeve të vendeve anëtare.”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov.
 
Osmani: Letra të shumta në adresë të BE-së për negociatat
 
Ndërkohë, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka intensifikuar aktivitetin diplomatik, duke dërguar së fundmi letra të shumta në disa adresa të BE-së. Osmani sqaron se letrat janë pjesë e aktiviteteve në kuadër të mobilizimit të mbështetjes së plotë të vendeve anëtare dhe institucioneve europiane, për fillimin e negociatave në qershor. 
 
“Fillimi i këtij procesi të fokusuar ndaj reformave, metodik dhe teknik, do të përçojë sinjal të fortë inkurajues, deri te shoqëria jonë dhe në të gjithë rajonin, duke ruajtur njëherazi kushtëzimin e fortë të vendosur me metodologjinë e re, e cila vendos mbikëqyrje politike më të fortë nga ana e vendeve anëtare dhe reverzibilitet të procesit.”,- shkruan Osmani. 


NAIM RAMADANI