Maqedoni
Arifi: Gati qendra rajonale për vaksinim në Tetovë
29.04.2021 15:06
Tetova i ka bërë të gjitha përgatitjet për qendrën rajonale për vaksinim kundër Covid-19, bën të ditur kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi....

Tetova i ka bërë të gjitha përgatitjet për qendrën rajonale për vaksinim kundër Covid-19, bën të ditur kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi. Qendra për vaksinim në Tetovë do të jetë tek salla e shkollës së mesme të mjekësisë, ndërsa kapaciteti i saj për vaksinim do të jetë 1000-1500 persona në ditë, kryesisht banorë të Pollogut. Vaksinimi pritet të nisë pas arritjes së 200 mijë vaksinave nga Kompania kineze “Sinofarm”.
“Është caktuar salla e shkollës së mesme të mjekësisë. Shtëpia e shëndetit publik do të bëjë vaksinimin. Ne kemi organizuar teknikisht të gjitha kushtet e brendshme, kompjuterë, serverë, stafi që do ndihmojë dhe kështu me radhë. Parashikimet janë që nga java tjetër me fillimin e vaksinimit, kapacitet është që mund të vaksinohen 1000-1500 persona në ditë. Qëllimi do të jetë që të përdoren vaksinat që shteti pritet t’i marrë nga kompania “Sine For”.”,- deklaroi kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
Besimi: Bulevardi industrial, me standard evropian
Këto komente Arifi i bërë gjatë lëshimit në funksion të Bulevardit Industrial, ku i pranishëm ishte edhe ministri i financave, Fatmir Besimi, i cili tha se ky projekt ka rëndësi për Tetovën.
“Kam kënaqësinë e veçantë që sot së bashku me kryetaren e Tetovës, të bëjmë inaugurimin solemn, hapjen e bulevardit, i cili tanimë është funksional, bulevard me standarde ndërkombëtare dhe europiane. Është projekt që financohet me kredi nga Banka Botërore, kryesisht komuna dhe me garanci shtetërore, për të krijuar kushte më të mira për financim të projekteve të këtij lloji.”,- tha ministri i financave, Fatmir Besimi.
Arifi paralajmëroi edhe hapjen e Bulevardit “Bllagoj Toska” në këtë mandat. Ndërkohë, për mosfillimin e transportit publik, Arifi tha se për momentin bëhet selektimi i shoferëve të autobusëve, pasi kanë aplikuar shumë të interesuar dhe, sipas Arifit, pas selektimit dhe procedurave tjera do të fillon edhe transporti publik në qytetin e Tetovës.
VISAR SADIKI
