Maqedoni
MASh: Thirrje nxënësve të mos bojkotojnë mësimin
29.04.2021 19:01
Ministria e Arsimit ka reaguar ndaj thirrjes së një grupi joformal për bojkotim të mësimit nga nxënësit e shkollave...

Ministria e Arsimit ka reaguar ndaj thirrjes së një grupi joformal për bojkotim të mësimit nga nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme. Me bojkot dëmtohen drejtpërsëdrejti nxënësit, theksojnë nga Ministria e Arsimit, duke e vlerësuar të paarsyeshme thirrjen për bojkot nëse merret parasysh se digjitalizimi i arsimit është proces global që ndodh në shumë vende të botës.
“Digjitalizimi i materialeve për mësim është i definuar në Ligjin e ri për libra dhe materiale të tjera mësimore dhe është paraparë të ndodhë me etapa, duke nisur nga klasa e katërt nga viti i ardhshëm dhe për momentin kjo nuk i prek nxënësit e shkollave të mesme dhe nuk ka arsye për mungesë të tyre në mësim.”,- thonë nga MASH.
Njëherti theksohet se ligji është në përputhje me epokën e teknologjisë digjitale. Nga thirrja për bojkot është distancuar Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme. Lidhur me librat digjitalë nga Unioni vlerësojnë se ajo duhet të jetë e drejtë e zgjedhjes për çdo nxënës.
Avokati i Popullit i kërkon MASh-it: Për digjitalizimin e librave konsultoni ekspertët
Lidhur me këtë çështje janë prononcuar edhe nga Avokati i Popullit, prej ku theksojnë se për ndryshime të këtilla fillimisht nevojitet të gjithë nxënësit të posedojnë infrastrukturë adekuate, të bëhet evaluim i aftësive digjitale të nxënësve dhe prindërve të tyre, të konsultohen ekspertët për ndikimin e pajisjeve elektronike ndaj fëmijëve, ndërsa theksohet edhe rreziku i pabarazisë mes nxënësve.
“Çdo veprim ndryshe do të diskriminonte një pjesë të nxënësve duke krijuar pabarazi mes nxënësve. Reformat dhe modernizimi i arsimit fillor, duhet të bazohen në një vlerësim të mirë të kapaciteteve teknike dhe teknologjike aktualisht në dispozicion nëpër shkolla, si dhe duke vlerësuar aftësitë digjitale të mësimdhënësve. Të gjitha shkollat fillore duhet të kenë infrastrukturë dhe pajisje me kompjuterë, borde inteligjente dhe mjete të tjera IT, internet të përhershëm në secilën klasë.”,- thekson Avokati i Popullit.
Grupi joformal në Facebook “Libra dhe mësim patjetër të ketë” që ka mbi 70 mijë ndjekës, të mërkurën para Ministrisë së Arsimit kanë shpalosur kërkesat e tyre që të ndalohet miratimi i Ligjit të ri për librat shkollorë, të organizohet debat publik dhe ekspertë të tyre të marrin pjesë në revizionin dhe intervenimet në këtë ligj.
ZEKIRJA MEXHITI
