Borrell dhe Kurti: Rinisja e dialogut Kosovë-Serbi, në qershor
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të rinis para fundit të qershorit...

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të rinis para fundit të qershorit, tha Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas takimit në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Kurti konfirmoi se Kosova do të marrë pjesë në rifillimin e dialogut në muajin qershor. Ai tha se dialogu nuk do të neglizhohet nga ana e Prishtinës, por ky proces duhet të zhvillohet mbi bazën e parimeve.
“Javën tjetër në Prishtinë ne do të miratojmë programin qeverisës dhe planin e punës, dhe pastaj ai do të dërgohet në kuvend. Në anën tjetër, neve na duhen më shumë dokumente për dialogun e kaluar, që të përgatitemi. Në maj do të takohemi me opozitën, për të pasur qëndrimet e tyre. Së pari do të kemi darkën e liderëve të Ballkanit Perëndimor në maj dhe pastaj dhe në qershor do të fillojmë me kapitullin e ri të dialogut”, tha Kurti.
Ndërkaq, shefi i diplomacisë së BE-së, Borrell, tha se Kosova nuk ka alternativë tjetër përveç dialogut me Serbinë dhe se rruga e saj evropiane kalon përmes këtij dialogu.
“Rruga evropiane e Kosovës kalon përmes dialogut Kosovë-Serbi, nuk ka rrugë tjetër dhe nuk ka alternativë. Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë është thelbësore për të lëvizur në perspektivën evropiane. Në të kundërtën, rruga do të jetë e bllokuar”, tha Borrell.
Një ditë më parë, Kurit u tha gazetarëve në Bruksel se nuk do të merrte pjesë në takimin më 11 maj si pjesë e vazhdimit të dialogut me Serbinë, takim për të cilin nuk ishte dakorduar paraprakisht.
